Një person shoqërohet në polici, dyshohet për ndikim në procesin e votimit
RTKlive
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar një informatë anonime lidhur me dyshimet se një person me inicialet M.S. ka ndikuar te qytetarët për të votuar, si dhe ka kërkuar raporte shëndetësore nga persona të caktuar me qëllim që ata të asistohen gjatë procesit të votimit.
Sipas njoftimit zyrtar, personi i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor në Komunën e Graçanicës, ku ndaj tij po ndërmerren të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
Prokuroria bën të ditur se gjatë kontrollit fillestar nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, ndërsa i dyshuari është intervistuar nga organet kompetente.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, thekson se mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe ligjshmërisë, si dhe në garantimin e një procesi zgjedhor të lirë, të rregullt dhe demokratik.























