Kosova, Shqipëria e Kroacia planifikojnë prodhimin e autoblindës “Shota”
RTKlive
Kosova planifikon të nisë prodhimin vendor të automjetit të blinduar “Shota”, i projektuar nga Shqipëria, në kuadër të një bashkëpunimi trepalësh në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë dhe Kroacinë. Sipas zyrtarëve, kjo nismë pritet të jetë programi i parë i përbashkët i prodhimit të automjeteve të blinduara në Ballkan.
Ky lajm ka ngjallur interesim edhe në mediumin Index.hr në Kroaci, ku i referohet ministrit në detyrë të Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar bisedime me Shqipërinë për finalizimin e një marrëveshjeje dypalëshe, e cila në një fazë të mëvonshme pritet të zgjerohet edhe me Kroacinë.
Në një intervistë për mediat vendore (Koha), Maqedonci ka deklaruar se partnerët kanë arritur dakordim në parim për zhvillimin dhe prodhimin e përbashkët të automjetit të blinduar.
Sipas tij, prodhimi do të shpërndahet gjeografikisht, me komponentë të ndryshëm që do të prodhohen në vende të ndryshme. Nëse projekti realizohet, do të shënojë herën e parë që tre shtete të Ballkanit prodhojnë së bashku një automjet të blinduar ushtarak, i destinuar si për nevojat e forcave të tyre të armatosura ashtu edhe për tregjet e eksportit, shkruan ky medium.
Sipas index.hr, nisma bazohet në një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në mbrojtje dhe siguri, të nënshkruar nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia në Tiranë gjatë muajit mars, i cili lë hapësirë të qartë që edhe vende të tjera t’i bashkohen projektit në një fazë të mëvonshme.
Maqedonci ka theksuar gjithashtu se Forca e Sigurisë së Kosovës ka tejkaluar objektivat e përcaktuara në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit 2018, duke shtuar se Kosova tashmë përdor sisteme kundër dronëve dhe po shqyrton zgjerimin e mëtejshëm të këtyre kapaciteteve.
Në të ardhmen e afërt, Kosova synon operacionalizimin e plotë ushtarak, përfshirë prokurimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe helikopterëve. Sipas Maqedoncit, janë duke u zhvilluar bisedime me Pentagonin për blerjen e mundshme të helikopterëve.
Ai ka nënvizuar se Shtetet e Bashkuara dhe Turqia mbeten partnerët kryesorë strategjikë të Kosovës në fushën e mbrojtjes, ndërsa bashkëpunimi po zgjerohet edhe me Gjermaninë, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar, Kroacinë dhe Republikën Çeke, shkruan index.hr
Ndërkohë, memorandumi trepalësh ka nxitur reagime të ashpra nga Serbia, e cila pretendon se ai shkel marrëveshjen rajonale për kontrollin e armëve të vitit 1996 dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke argumentuar se sipas kësaj rezolute, KFOR-i mbetet e vetmja forcë e armatosur e autorizuar në Kosovë.























