Pjesëmarrja në zgjedhje arrin 45%, KQZ: rezultatet preliminare sonte
M.Sh/RTKLive
Pjesëmarrja e qytetarëve në Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës ka shënuar rritje të ndjeshme, duke arritur në rreth 45 për qind, sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas përditësimit të KQZ-së deri në orën 19:00, në vendvotime kanë votuar 899,563 qytetarë, që përfaqëson 45 për qind të trupit votues. Ndërkohë, gjatë konferencës për media të mbajtur në orën 19:30, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, bëri të ditur se nga të dhënat preliminare të ardhura nga mbi 98 për qind e vendvotimeve, pjesëmarrja kishte arritur në 44.56 për qind.
Përditësimet në ueb-faqen zyrtare të KQZ-së kanë vazhduar edhe pas kësaj ore, duke treguar se shifra ka tejkaluar 45 për qind, me mbi 899 mijë votues.
Kryetari i KQZ-së vlerësoi se procesi zgjedhor është zhvilluar i qetë dhe i rregullt, në përputhje me kërkesat ligjore. Ai njoftoi se në shumë prej vendvotimeve tashmë ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve për subjektet politike.
“Besoj se sonte, rreth orës 22:30 ose 23:00, do të dalim me rezultatet preliminare”, deklaroi Radoniqi, duke shtuar se KQZ do të njoftojë me kohë për konferencën përmbyllëse.
Sa i përket votave nga diaspora, Radoniqi bëri të ditur se votat e hedhura në përfaqësitë diplomatike pritet të arrijnë në Kosovë gjatë javës së ardhshme, ndërsa votat me postë do të pranohen deri më 5 janar. Ai sqaroi se dërgimi i fletëvotimeve është realizuar përmes shërbimit postar DHL dhe se vonesat janë të ndërlidhura me festat e fundvitit dhe vikendet.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit po konsiderohen historike për nga pjesëmarrja e qytetarëve brenda vendit. Rekordi i mëhershëm ishte shënuar më 9 shkurt të këtij viti, kur kishin votuar 871 mijë e 662 qytetarë në Kosovë, ndërsa së bashku me votat nga diaspora dhe përfaqësitë diplomatike numri kishte arritur në 966 mijë vota.
Këtë herë, zgjedhjet janë mbajtur kur në Kosovë kanë ardhur një numër i madh i bashkatdhetarëve, të cilët konsiderohen një nga faktorët kryesorë të rritjes së pjesëmarrjes në votime.























