Kryetarja e Preshevës uron Albin Kurtin për rezultatin zgjedhor
BKT
Lajme

Kryetarja e Preshevës uron Albin Kurtin për rezultatin zgjedhor

E.Hoti/RTKlive

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, i ka dërguar një telegram urimi Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, pas përmbylljes së procesit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.

Në telegramin e urimit, Sinani vlerëson rezultatin e arritur në zgjedhjet e 28 dhjetorit si shprehje të qartë të vullnetit demokratik të qytetarëve të Kosovës, duke theksuar se ky rezultat krijon mundësi reale për formimin e shpejtë të institucioneve dhe për forcimin e stabilitetit institucional në vend.

Ajo nënvizon se një Kosovë me institucione stabile është me rëndësi të veçantë jo vetëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke kujtuar bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që ata kanë pasur gjatë periudhës së qeverisjes së Kurtit.

Kryetarja e Preshevës shpreh bindjen se bashkëpunimi me Qeverinë Kurti do të thellohet edhe më tej në mandatin e ardhshëm, në interes të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si dhe shpreh besimin se përkushtimi për shtetin ligjor, sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e identitetit kombëtar do të vazhdojë pa kompromis.

Në përfundim, Sinani uron qytetarët e Kosovës për kulturën demokratike të treguar gjatë procesit zgjedhor dhe i dëshiron Albin Kurtit sukses në realizimin e objektivave dhe programeve qeverisëse.


MË SHUME NGA Lajme