Sonte në Dodonë jepet premiera e shfaqjes ‘Kukulla’
K. K. / RTKlive
Shfaqja teatrale “Kukulla”, me regji të Naser Shatrollit, jepet sonte (e martë) me fillim nga ora 19:30, premierë në Teatrin Dodona në Prishtinë. Regjisori Naser Shatrolli ka thënë se çdo premierë për të sjell emocione të forta, të shoqëruara edhe me frikë. Ai ka theksuar se tekstin e ka përpunuar dhe përshtatur duke u fokusuar në një dimension shumë të rëndësishëm, dimensionin familjar.
Sipas tij, personazhi kryesor përballet me probleme të thella të brendshme: pagjumësi, trazim shpirtëror dhe vetmi. I ndarë nga gruaja dhe pa dëshirë për të pasur fëmijë, ai përpiqet të kompensojë boshllëkun emocional duke blerë një kukull në ankand, përmes së cilës tenton të krijojë një formë alternative jetese. Në këtë raport ndërtohet e gjithë struktura dramatike e shfaqjes.
Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Shatrolli tregoi se ideja për realizimin e shfaqjes erdhi nga producenti dhe aktori Leonard Hamitaj, i cili vepron në Zagreb dhe është themelues i teatrit “Mërgimtari”. Ai theksoi se Hamitaj i ka ofruar tekstin dhe mundësitë e produksionit për realizimin e projektit.
Shfaqja bazohet në tekstin e autorit kroat Miro Gavran, i njohur për stilin e tij të ironisë, cinizmit dhe sarkazmës, elemente që i përdor në pothuajse të gjitha veprat e tij dhe që janë inskenuar gjerësisht në rajon, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën.
“Kukulla” shërben si metaforë e njeriut për njeriun, e vendosur në kaosin urban modern, ku humbet sensi i gjykimit real në marrëdhëniet në çift, familje, punë dhe trashëgimi.
Në shfaqje interpretojnë Leonard Hamitaj dhe Qëndresa Jashari. Muzika: Vihuela Akademi – Ehad Dula Skenografia: Naser Shatrolli dhe Armend Hyseni Traileri dhe posteri: Dalmat Dobra Shfaqja realizohet në bashkëpunim mes Teatrit “Mërgimtari” (Kroaci) dhe Teatrit Dodona (Prishtinë).























