KKSH: 673 shërbime për fëmijët shqiptarë me nevoja të veçanta
BKT
Lajme

KKSH: 673 shërbime për fëmijët shqiptarë me nevoja të veçanta

RTKlive

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025, gjithsej 209 fëmijë me nevoja të veçanta janë përfshirë drejtpërdrejt në programet e Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Në një postim në Facebook, Rexhepi ka njoftuar se për këta fëmijë janë ofruar gjithsej 673 shërbime profesionale, përfshirë 380 seanca psikologjike dhe 293 seanca logopedike. Ai theksoi se në mënyrë të vazhdueshme janë angazhuar 22 asistentë personalë, me qëllim të përfshirjes së fëmijëve shqiptarë me nevoja të veçanta në procesin mësimor në shkolla.

Sipas Rexhepit, në këtë proces kanë qenë të përfshirë edhe 109 prindër, të cilët kanë përfituar nga programet mbështetëse të ofruara.

Ai ka bërë të ditur se këto rezultate janë arritur falë mbështetjes së gjashtë organizatave, në kuadër të thirrjes së hapur nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, për projekte që kanë në fokus fëmijët dhe nxënësit me nevoja të veçanta.

Rexhepi theksoi se këto projekte janë financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe përbëjnë, sipas tij, rezultate konkrete në përmirësimin e përfshirjes dhe mirëqenies së fëmijëve me nevoja të veçanta në sistemin arsimor.


MË SHUME NGA Lajme