Po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë
BKT
Lajme

Po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

Edina Avdiu/ RTK

Të martën ka vazhduar numërimi i votave për kandidatët për deputetë të legjisltaurës së dhjetë në Kuvendin e Kosovës në 32 Qendra Komunale të Numërimit.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se në 6 qendra ka përfunduar numërimi të hënën në mesnatë. Nga 1171 vendvotime të numëruara prej 2 mijë 557 sa janë gjithsej kandidatët më të votuar janë: Nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti me mbi 150 mijë vota, pasuar nga Glauk Konjufca me mbi 122 mijë vota. Pastaj Albulena Haxhiu me mbi 64 mijë vota, Hekuran Murati me mbi 63 mijë vota, ndërsa kandidatja e pestë më e votuar e VV-së është Donika Gërvalla me mbi 56 mijë vota.

Nga Partia Demokratike më së shumti vota prin Bedri Hamza mbi 71 mijë sosh. Kandidati I dytë më I votuar për deputetë nga radhët e PDK-së është Arian Tahiri me mbi 33 mijë vota. Pas tij renditet Përparim Gruda me më shumë se 31 mijë vota, Uran Ismaili me më shumë se 24 mijë dhe Sala Jashari me mbi 22 mijë vota.

Lumir Abdixhiku ka marrë mbi 34 mijë vota teksa numërimi po vazhdon, ndërsa pas tij është renditur Hykmete Bajrami me mbi 21 mijë vota. I treti nga lista e kandidatëve të LDK-së është renditur Ukë Rugova me mbi 19 mijë vota. I katërtI në listë është Avdullah Hoti me rreth 17 mijë vota ndërsa pas tij renditet Doarsa Kica Xhelili me mbi 16 mijë vota.

 Mbi 17 mijë vota ka marrë Ramush Haradinaj i AAK-së nga votat e numëruara. Pas tij renditen Daut Haradinaj e Besnik Tahiri me nga mbi 10 mijë vota. Bekë Berisha e Agim Ceku renditet pas tyre me nga mbi 7 mijë vota.

Deri në orën 16:00 janë numëruar 1171 vendvotime nga 2557, apo 45,8 përqind e votave. Procesi i numërimit dhe verifikimit është duke vazhduar në 32 Qendra Komunale të Numërimit.


MË SHUME NGA Lajme