Kurti: KEK-u në moment historik transformimi
BKT
Lajme

Kurti: KEK-u në moment historik transformimi

B. H. | RTKlive

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se Korporata Energjetike e Kosovës ndodhet në një moment historik transformimi. Ai ka bërë të ditur se investimet në KEK tejkalojnë 500 milionë euro, për ta bërë këtë ndërmarrje moderne, të qëndrueshme dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.

“Modernizimi i turbinave dhe investimet tjera në njësitë B1 dhe B2, rehabilitimi i thellë i njësisë A3, investimet madhore në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, dhe hyrja për herë të parë e KEK-ut në sektorin e energjisë së ripërtritshme përmes parkut solar, janë tejet të rëndësishme për sigurinë energjetike të vendit, stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin afatgjatë. Me përfundimin e këtyre projekteve, Kosovës do t’i shtohen rreth 150 MW kapacitete shtesë në termocentralet ekzistuese dhe 100 MW kapacitete te reja gjeneruese nga burimet e ripërtrishme”, ka shkruar Kurti në Facebook, një ditë pasi ishte vizitë në këtë korporatë.

Ai tutje ka thënë se që nga 19 dhjetori 2025, KEK-u është duke prodhuar me kapacitetin maksimal të saj, me 5 njësi gjeneruese.

Kurti ka falënderuar punonjësit dhe menaxhmentin e KEK-ut për punën dhe profesionalizmin, si dhe Bordin e Drejtorëve dhe Ministrinë e Ekonomisë për mbikëqyrjen e përkrahjen për KEK-un në këto projekte transformuese.

“KEK-u sot po forcon themelet e energjisë së të ardhmes: një KEK më i fortë, më modern, më i sigurt dhe më i gjelbër, në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të brezave që vijnë”, ka shtuar Kurti.


MË SHUME NGA Lajme