Çeku dërgon telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Rushit Ramabajës
RTKlive
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Ramabaja me rastin e ndarjes nga jeta të poetit, gazetarit dhe publicistit të shquar Rushit Ramabaja.
Në mesazhin e tij, ministri Çeku shpreh pikëllimin e thellë për humbjen e njërit prej emrave më autentikë të kulturës dhe gazetarisë shqiptare në Kosovë, duke vlerësuar kontributin e tij të çmuar në jetën kulturore dhe publike të vendit.
Telegrami i plotë:
Telegram ngushëllimi
E nderuar familja Ramabaja,
Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Rushit Ramabajës, poetit, gazetarit dhe publicistit të shquar, njërit prej emrave më autentikë të kulturës dhe gazetarisë shqiptare në Kosovë.
Rushit Ramabaja i dha kulturës sonë një trashëgimi të çmuar letrare e publicistike, me mbi dy dekada angazhim në gazetën “Rilindja”, më pas në Radio Kosova, si dhe me një opus krijues prej mbi 20 veprash, që do të mbeten dëshmi e fuqishme e mendimit të lirë. Vlerësimi me Çmimin “Azem Shkreli” për vepër jetësore ishte një mirënjohje e merituar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm.
Ikja e tij është humbje e madhe për kulturën tonë, por vepra dhe shembulli i tij do të jetojnë gjatë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Ramabaja, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit letrar e gazetaresk.
Hajrulla Çeku
Ministër në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit























