IKSHPK:Monitorim i vazhdueshëm i ujit pas reshjeve, probleme në disa rajone
BKT
Lajme

IKSHPK:Monitorim i vazhdueshëm i ujit pas reshjeve, probleme në disa rajone

V.S|RTKlive

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dalë me një njoftim lidhur me gjendjen e ujit të pijes në Kosovë, pas reshjeve të fundit të shiut. Sipas institutit, situata po monitorohet në vazhdimësi në bashkëpunim me qendrat rajonale dhe kompanitë e ujësjellësit, ndërsa në disa rajone janë evidentuar probleme me cilësinë dhe furnizimin me ujë për pije.

“IKSHPK dhe qendrat rajonale, përpos marrjes së mostrave të rregullta dhe të jashtëzakonshme të ujit, si dhe përpunimit laboratorik të tyre, janë edhe në kontakt të vazhdueshëm me kompanitë e ujësjellësit në çdo rajon dhe po punojnë që qytetarët të kenë ujë të sigurt për pije sa më shpejt”.

IKSHPK-ja ka treguar për gjendjen e furnizimit me ujë të pijes në Kosovë.

Sipas tyre, në rajonin e Prishtinës, fabrika e ujit në Shkabaj nuk punon për shkak të turbullirës së madhe të ujit në hyrje të fabrikës. Fabrika në Bivolak, sipas tyre, gjithashtu nuk punon për të njëjtën arsye.

“Sistemi i ujit në Graçanicë/Badovc punon normalisht. Sistemi në Albanik/Batllavë punon normalisht. Uji në rrjet po kontrollohet vazhdimisht. Për momentin nuk ka probleme me cilësinë e ujit të pijes”, thotë IKSHPK-ja.

Për rajonin e Prizrenit, ky institut thotë se burimi i ujit nga “40 bunarët” në qytetin e Prizrenit është lëshuar vetëm për nevoja sanitare (larje dhe higjienë), por nuk është i sigurt për pije. “Burimet e tjera, si Cvilen dhe Soz, uji është i përdorshëm”, thuhet në njoftim.

Në Suharekë dhe Malishevë, sipas IKSHPK-së, uji i rrjetit është jashtë përdorimit për pije. Në Dragash, thonë se deri tani nuk ka probleme me ujin e pijes.

Për rajonin e Gjilanit, thonë se në qytet uji i pijes është në rregull. Ndërsa, sipas tyre, në Kamenicë, në fshatin Berivojcë, janë vërejtur nitrate të rritura. “Qytetarët janë udhëzuar që të mos e përdorin ujin për pije”, thotë IKSHPK-ja.

Në Viti, sipas tyre, përdorimi i ujit është ndërprerë për shkak të turbullirës.

Ndërkohë, IKSHPK-ja ka bërë të ditur se në rajonin e Pejës, pas reshjeve të shiut, janë paraqitur turbullira në disa burime të ujit. “Në Deçan dhe në zonën e Jarinës në Klinë, furnizimi me ujë është ndërprerë që nga dita e djeshme. Për të siguruar ujë më të pastër, janë futur në përdorim puset ekzistuese. Në komunën e Pejës janë vërejtur turbullira në burimin e Drinit të Bardhë në Radac. Sot situata në Radac është përmirësuar dhe furnizimi me ujë vazhdon normalisht”, thotë IKSHPK-ja.

Ndërkohë, sipas tyre, gjendja e ujit të pijes në Ferizaj është raportuar se është brenda standardeve dhe i sigurt për pije.

Në rajonin e Gjakovës, sipas IKSHPK-së, furnizimi me ujë nga rrjeti i KRU “Gjakova” është i sigurt për pije.

“Mostrat e kontrolluara në laborator tregojnë se uji është pa baktere të dëmshme. Probleme ka pasur në disa burime lokale si: Rekë e Keqe, Demjan, Opterushë, Hoqe e Madhe, Zaqishtë dhe Hoqe e Madhe. Në këto vende gjendja vazhdon e njëjtë dhe uji nuk duhet të përdoret për pije”, thuhet tutje në njoftim.

Ata kanë treguar edhe për situatën me ujin e pijes në rajonin e Mitrovicës. “Sipas informatave nga KRU ‘Mitrovica’, uji ende nuk është dhe nuk do të lëshohet për pije për një periudhë të caktuar, sepse turbullira e ujit është shumë e madhe dhe nuk mund të trajtohet si duhet. Për këtë arsye, uji aktualisht nuk është i sigurt për konsum human”, thotë IKSHPK-ja.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) rekomandon që qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë dhe shëndetin e tyre.

“Qytetarëve që furnizohen me ujë nga bunarë të pambrojtur, për arsye sigurie nga aspekti bakteriologjik, u rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative për furnizim me ujë të sigurt. Ushqimi të ruhet në vende të sigurta dhe të mos konsumohet ushqimi që ka qenë në kontakt me ujin e shiut. Shfrytëzoni ujin vetëm nga burimet e sigurta. Ndiqni udhëzimet zyrtare për përdorimin e ujit në komunën tuaj”, thuhet në rekomandimin e IKSHPK-së.


MË SHUME NGA Lajme