Evakuohen mbi 10 familje në lagjen `2 Korriku` në Mitrovicë
Edona Podvorica/RTK
Gjendje më e rëndë si pasojë e vërshimeve nga reshjet e shiut ishte sot në qytetin e Mitrovicës. Në lagjen “2 Korriku” janë evakuuar 10 familje të cilat rrezikoheshin nga përmbytjet. Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka thënë se komuna ka kapacitete të mjaftueshme për t`i ndihmuar familjet e prekura.
Shiu e bora e pasdites së djeshme bëri që lumi Sitnica të dalë nga shtrati e të rrezikojë jetën e dhjetëra banorëve në lagjen “2 Korriku” në Mitrovicë. Mbi 15 zjarrfikës nuk u ndalën në 24 orët e fundit, teksa evakuuan mbi 10 familje në këtë lagje e cila deri në orët e mëngjesit u përmbyt nga vërshimet.
Zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicë, që në mëngjes po udhëhiqte të gjithë aksionin e shpëtimit të qytetarëve që kishin mbetur brenda shtëpive në këtë lagje, po pranonte në të njëjtën kohë edhe kërkesat për evakuim nga lagje të tjera, që po ashtu ishin përmbytur.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, tha se komuna ka kapacitete të mjaftueshme për t`i ndihmuar familjet e prekura.
“Neve na mbanë shpresa, ka tendencë përmirësimi të Sitnicës. Ne kemi paraparë që rreziku të jetë edhe më i madh, pres rehabilitimin e shtratit Sitnica" tha Faton Peci, kryetar i komunës së Mitrovicës së Jugut.
Më vonë ndihmë kërkuan edhe disa banorë në fshatrat Lisicë dhe Kçiq. E pavarësisht rrezikut potencial, një prej sfidave që zjarrfikësit hasën në terren gjatë ditës, ishte që t`i bindnin banorët që t’i lëshonin shtëpitë e tyre të përmbytura nga Sitnica.























