Kryqi i Kuq në terren për të ndihmuar familjet e prekura nga vërshimet
BKT
Lajme

Kryqi i Kuq në terren për të ndihmuar familjet e prekura nga vërshimet

Sh.G|RTKlive

Kryqi i Kuq i Kosovës ka intensifikuar angazhimin e tij në zonat e prekura nga vërshimet, duke u ofruar ndihmë emergjente familjeve që po përballen me pasoja të rënda materiale dhe sociale.

Armend Shala, zyrtar për komunikim në Kryqin e Kuq të Kosovës, në një lidhje të drejtpërdrejtë në programin e mëngjesit të RTK-së, bëri të ditur se ekipet e organizatës janë në terren që nga momentet e para të përkeqësimit të situatës.

“Nevojat kryesore kanë qenë për veshmbathje dhe ushqime të shpejta. Qytetarëve u kemi shpërndarë pako ushqimore dhe higjienike, ndërsa në disa raste ka pasur kërkesa edhe për ujë të pijshëm apo gjëra të tjera esenciale”, tha Shala.

Ai theksoi se, përveç shpërndarjes së ndihmave, ekipet e Kryqit të Kuq janë duke e monitoruar nga afër situatën dhe duke mbledhur informacione në terren, me qëllim që ndihma të jetë sa më e përshtatshme për nevojat reale të qytetarëve.

“Rastet që i kemi të evidentuara, sidomos familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, po i vizitojmë drejtpërdrejt për të parë nëse kanë nevoja shtesë dhe si mund t’i mbështesim më tej”, shtoi Shala.

Kryqi i Kuq i Kosovës vazhdon të bëjë thirrje për solidaritet dhe bashkëpunim, derisa situata nga vërshimet mbetet sfiduese në disa pjesë të vendit.


MË SHUME NGA Lajme