AME: Situata në terren kryesisht e qetë, stabile dhe e menaxhueshme
BKT
Lajme

AME: Situata në terren kryesisht e qetë, stabile dhe e menaxhueshme

V.S|RTKlive

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka dalë me të dhëna të përditësuara sa i përket situatës në vend, pas vërshimeve të ditëve të fundit. Thonë se sipas të dhënave të fundit të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe strukturat Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në terren, situata e vërshimeve në nivel vendi paraqitet kryesisht e qetë, stabile dhe e menaxhueshme.

Pas ndërprerjes së reshjeve intensive të shiut dhe kalimit gradual në reshje bore, AME thotë se niveli i ujit në lumenj ka filluar të bie, ndërsa në shumicën e rajoneve nuk është raportuar nevoja për ndërhyrje emergjente.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent  ka dalë me një përmbledhje të gjendjes sipas rajoneve.

AME thotë se në rajonin e Prishtinës situata është e qetë dhe stabile, pa nevojë për intervenime, derisa htonë se monitorimi vazhdon.

Ndërkohë në rajonin e Prizrenit, sipas tyre, nuk janë raportuar intervenime apo thirrje emergjente. Thonë se rrugët janë të kalueshme, me kujdes në zonat malore për shkak të ngricave.

Për rajonin e Mitrovicës, AME thotë se gjendja është më e qetë, pa rrezik për vërshime të reja, ndërsa kanë treguar se ekipet vazhdojnë mbështetjen për personat e evakuuar më herët.

Edhe në rajonin e Pejës, AME thotë se është situatë stabile, përjashtim mbetet rruga Junik–Jasiq, e cila sipas tyre, vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të shembjes së dheut.

AME ka bërë ëprditësimin e tëg dhënave edhe për rajonin e gjakovës ku thonë se ka rënie të nivelit të ujit në lumenj, situata është e menaxhueshme, vec sipas tyre me bllokim lokal rruge nga shembja e dheut.

Ndërkohë AME thotë se në rajonin e Gjilanit nuk janë raportuar vërshime. Gjendja, htonë ata, është e qetë.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent  ka kërkuar nga qytetarët vëmendje të veçantë pas reshjeve të borës që thonë se kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim rrugor në disa zona.

AME thotë se institucionet përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë, derisa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe Qendra Operative e AME-së është e gatshme të reagojë dhe të koordinojë ndihmën sipas nevojës 24/7.

“Falënderojmë secilin Zjarrfikës Shpëtues për dedikimin dhe heroizmin në operacionet e shpëtimit dhe ndihmës, njësitë e Policisë së Kosovës , Forcën e Sigurisë Kosovës, Kryetarët e Komunave dhe drejtoritë të cilat u mobilizuan nga momentet e para në Koordinim me Agjencinë, Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Ministrin e Ministrisë Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, për përkushtimin dhe mbështetjen e plotë dhe pa rezervë Agjencisë në menaxhimin e kësaj situate të shkaktuar nga të reshurat e ditëve të fundit”, thuhet në fund të njoftimit nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent për situatën aktuale në vend pas vërshimeve.

 


MË SHUME NGA Lajme