Futbolli dhe kultura po forcojnë imazhin e Kosovës
Shqipe Gashi|RTKlive
Oltion Beshiri, themelues i iniciativës “Image of Kosovo”, ishte i ftuar në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku foli për imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe faktorët që kanë ndikuar pozitivisht në promovimin e vendit gjatë vitit 2025.
Sipas Beshirit, Kosova ka shënuar përparim të dukshëm falë aktiviteteve të shumta në fusha të ndryshme, me theks të veçantë në sport, kulturë dhe art. Ai veçoi futbollin si një nga shtyllat kryesore të këtij promovimi.
“Ka pasur shumë aktivitete që kanë ndikuar në promovimin pozitiv të Kosovës. Natyrisht, promovimi ndërlidhet ngushtë me aktivitetet që zhvillohen gjatë vitit – futbolli, muzika, arti dhe kultura. Viti 2025 definitivisht është karakterizuar nga Kombëtarja e Kosovës në futboll, e cila ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare dhe pritet që këto suksese të konkretizohen edhe më tej në muajin mars me kualifikim të radhës. Kombëtarja ka qenë ylli i vitit 2025”, tha Beshiri.
Ai theksoi gjithashtu rolin e figurave publike si ambasadorë joformalë të Kosovës në botë, duke përmendur emra të njohur të artit dhe sportit.
“Ambasadorët joformalë të vendit tonë, si Dua Lipa, Rita Ora, Granit Xhaka dhe shumë artistë e sportistë të tjerë, janë mesazhi më i fuqishëm që ne kemi në arenën ndërkombëtare. Ata duhet të jenë aktivë jo vetëm në kohë të mira, por edhe në sfida, duke ndikuar pozitivisht dhe duke shtyrë përpara narrativat pozitive për Kosovën”, u shpreh ai.
Në këtë kontekst, Beshiri përmendi edhe një nga narrativat kryesore të promovuara gjatë vitit 2025 nga iniciativa “Image of Kosovo”.
“Një nga narrativat që kemi shtyrë përpara është ‘Stay and Invest’ – qëndro dhe investo në Kosovë. Kjo ka për qëllim të inkurajojë qytetarët dhe diasporën që ta shohin Kosovën si vend të mundësive dhe zhvillimit”, përfundoi Beshiri.























