Tri ekspozita për 20 vjet veprimtari artistike të Genc Rodiqit
BKT
Kulturë

Tri ekspozita për 20 vjet veprimtari artistike të Genc Rodiqit

Shqipe Gashi|RTKlive

Genc Rodiqi, drejtor i galerisë “Lavjerr’s”, ishte i ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në programin e mëngjesit në RTK, ku foli për aktivitetet kulturore dhe ekspozitat që po organizohen në kuadër të 20-vjetorit të veprimtarisë së tij si koleksionist i veprave të artit.

Rodiqi theksoi se këtë vit shënon 20-vjetorin e angazhimit të tij si koleksionist pranë galerisë “Dada Art Gallery”, jubile që ka vendosur ta shënojë përmes organizimit të tri ekspozitave, në bashkëpunim me galeri të ndryshme të qytetit.

“Ekspozita e parë është mbajtur në galerinë ‘Hani i Dy Robertëve’ gjatë muajit dhjetor dhe ka qenë një sukses shumë i mirë. Jam ndarë jashtëzakonisht i kënaqur si me numrin e vizitorëve ashtu edhe me jehonën që pati kjo ekspozitë”, u shpreh Rodiqi.

Ai bëri të ditur se aktualisht po organizohet ekspozita e dytë, e cila realizohet në bashkëpunim me Qendrën Kulturore dhe galerinë “Lavjerr’s”, ndërsa synon që gjatë këtij viti të organizohet edhe ekspozita e tretë, për të kompletuar kështu shënimin e 20-vjetorit të tij si koleksionist arti.

Rodiqi vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore dhe galerive, duke theksuar se aktivitete të tilla kontribuojnë në zhvillimin dhe promovimin e artit bashkëkohor në vend.


MË SHUME NGA Kulturë