Avokati Koci: Hazir Haziri lirohet nga paraburgimi në Serbi
Arlinda Sejda/ RTK
Avokati Arianit Koci ka njoftuar se Hazir Haziri është liruar nga autoritetet e Serbisë, pasi ishte mbajtur në paraburgim që nga 8 shtatori 2025. Sipas Kocit, Haziri ishte arrestuar në pikën kufitare në Merdarë.
Në deklaratën e tij, Koci thekson se lirimi i Hazirit dëshmon se arrestimi ka qenë i pabazuar dhe i ndërtuar mbi pretendime të pambështetura në fakte.
“Lirimi i tij e konfirmon se arrestimi ka qenë i pabazuar dhe i ngritur mbi pretendime të pambështetura në fakte,” ka deklaruar ai.
Avokati Koci ka vlerësuar se ky rast nxjerr në pah nevojën që qytetarët e Kosovës të kenë mbështetje të menjëhershme juridike sa herë që përballen me ndalime të padrejta jashtë vendit.
“Rasti nënvizon domosdoshmërinë që qytetarët e Kosovës të kenë mbështetje të menjëhershme juridike sa herë që përballen me ndalime të padrejta jashtë vendit,” ka thënë Koci.
Ai ka shtuar se do të vazhdojë angazhimin e tij profesional për mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës.
“Si avokat, do të vazhdoj të angazhohem që asnjë qytetar i Republikës së Kosovës të mos mbetet i pambrojtur në burgjet e Serbisë, pavarësisht rrethanave apo akuzave të pabazuara,” ka deklaruar Koci, duke theksuar se kjo është “përgjegjësi profesionale dhe njerëzore”.
Sipas avokatit, gjendja shëndetësore e Hazirit është e mirë.























