Sinani Dërguti: Leximi zhvillon mendimin kreativ dhe komunikimin
BKT
Kulturë

Sinani Dërguti: Leximi zhvillon mendimin kreativ dhe komunikimin

Kimete Kasumi/ RTKlive

Bibliotekistja Lejla Sinani Dërguti nga shkolla model “Qamil Batalli” në Prishtinë ka njoftuar se fondi i bibliotekës është mjaft i pasur, me rreth 11 mijë libra të zhanreve të ndryshme, nga autorë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, duke ofruar një llojllojshmëri të gjerë për nxënësit.

Ajo theksoi se roli i bibliotekës lidhet drejtpërdrejt me procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Sipas saj, nxënësit që lexojnë arrijnë të zhvillojnë të gjitha kompetencat bazë, duke u shndërruar në mendimtarë kreativë, krijues të rinj, oratorë të shkathët dhe duke forcuar komunikimin dhe imagjinatën.

Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Dërguti tha se biblioteka vazhdon me planin vjetor të aktiviteteve festive dhe kulturore, si Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit, festa e 22 Nëntorit, 21 Marsi, Dita Botërore e Poezisë, si dhe 2 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë, që shënon edhe ditëlindjen e autorit danez Hans Christian Andersen, i njohur si babai i përrallave për fëmijë. Veprat e tij, si “Rosaku i Shëmtuar” dhe “Sirena e Vogël”, lexohen me shumë dëshirë nga nxënësit.

Përveç orëve ekstrakurrikulare ku zhvillohen aktivitete të leximit, shkrimit krijues dhe dramës, nxënësit e klasave të katërta dhe të pesta kanë çdo ditë orë të rregullta leximi, me dy orë në bibliotekë.


MË SHUME NGA Kulturë