Elezi: Janë rinumëruar 49% e vendvotimeve, mbi 1,300 ende në proces
Naser Mekolli /RTKlive
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për RTKlive se deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 19 komuna, ndërsa procesi vazhdon edhe në 19 komuna të tjera.
Sipas Elezit, nga fillimi i rinumërimit më 13 janar e deri tani janë rinumëruar rreth 49 për qind e vendvotimeve, përkatësisht 1,240 nga gjithsej 2,557 vendvotime.
“Procesi i rinumërimit është përfunduar në 19 komuna, ndërsa kanë mbetur edhe rreth 1,300 vendvotime për t’u rinumëruar, të cilat i takojnë 19 komunave të tjera,” tha Elezi.
Ai theksoi se KQZ është duke u angazhuar maksimalisht që procesi të përmbyllet sa më shpejt, në mënyrë që të hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
“Po përpiqemi që rinumërimi i të gjitha vendvotimeve të mbetura të përfundojë në kohën më të shkurtër të mundshme, në mënyrë që të procedojmë me shpalljen e rezultateve përfundimtare,” ka thënë Elezi.
Ai shtoi se, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e më pas, nëse ka nevojë, edhe në Gjykatën Supreme.
Vetëm pas përfundimit të shqyrtimit të ankesave, vendimmarrjes dhe zbatimit të vendimeve përkatëse, KQZ do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve dhe përmbylljen përfundimtare të procesit zgjedhor.























