Emra: Arkiv, eksperiencë shpirtërore për vizitorët
BKT
Kulturë

Emra: Arkiv, eksperiencë shpirtërore për vizitorët

Kimete Kasumi/ RTKlive

Arkiv, Instituti i Artit Bashkëkohor, i dedikuar artit bashkëkohor në rajonin e Pejës, është themeluar në vitin 2018, ndërsa me aktivitete ka nisur në vitin 2022. Kështu ka njoftuar Leon Emra, koordinator i institutit.

Ai tha se aktiviteti i parë ishte ekspozita e artistit Artan Hajrullahu, e cila njëkohësisht shënoi edhe hapjen zyrtare të institutit.

Në emisionin Mirëmëngjesi Kosovë në RTK, Emra theksoi se instituti është themeluar nga artisti me famë botërore, me origjinë nga Peja, Sislej Xhafa.

“Jo vetëm artistët, por edhe njerëzit në përgjithësi, kur vijnë në këto hapësira në Arkiv, përjetojnë një eksperiencë shumë shpirtërore. Ata kthehen në kohët e mëparshme, vijnë ish-nxënës të shkollës, pasi këtu kanë kaluar shumë breza njerëzish që kanë krijuar histori brenda këtyre hapësirave dhe klasave”, pohoi Emra.

Sipas tij, qëllimi i themeluesit të institutit është që hapësira të ruhet sa më shumë në gjendjen e saj origjinale.

“Ideja është të lihet gjithçka ashtu siç është lënë, duke ruajtur sa më shumë pjesë ekzistuese. Edhe nëse në të ardhmen bëhet ndonjë restaurim, arkitektët do të kërkohen të ruajnë elementet origjinale, duke restauruar vetëm ato pjesë që janë të domosdoshme”, tha ai.

 


MË SHUME NGA Kulturë