Hendeku ndërmjet pozitës dhe opozitës rrezikon zgjedhjen e presidentit
BKT
Lajme

Hendeku ndërmjet pozitës dhe opozitës rrezikon zgjedhjen e presidentit

Emine Hoti/RTKlive

(E plotësuar) Në “Speciale” të RTK-së, analistët kanë thënë se nuk përjashtojnë mundësinë që të ketë më shumë se një kandidat për president, ndërsa kriza mes pozitës dhe opozitës duket se po thellohet, duke e bërë procesin politik më kompleks.

Aleksandër Çipa tha se nuk e përjashton mundësinë që të ketë dy ose tre kandidatë për postin e Presidentit të Kosovës. Sipas tij, nuk përjashtohet as mundësia që opozita të kandidojë një kandidat të vetin.

Ai theksoi se gjithçka do të varet nga loja politike dhe nga mbështetja e faktorit të jashtëm diplomatik. Çipa shtoi se vetë presidentja Osmani është duke punuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me faktorë të tjerë diplomatikë.

“Unë e shoh shumë të vështirë që presidentja Osmani të hyjë në një kandidaturë të dytë, përderisa nuk tejkalohet kriza zyrtare dhe nëse ajo nuk mbështetet nga Vetëvendosje ose LDK-ja, e cila aktualisht nuk po e mbështet”, tha ai.

Kurse Mentor Kikia tha se negociatat politike për zgjedhjen e presidentit do të zhvillohen në një klimë aspak miqësore. Sipas tij, kriza e tejzgjatur dhe kokëfortësia e Albin Kurtit dhe e opozitës për të mos lëshuar pe kanë bërë që hendeku mes mazhorancës dhe partive opozitare të thellohet edhe më shumë, deri në përmasa të një konflikti që nuk është më thjesht politik.

Ai shtoi se tashmë jemi në kushte ku Vetëvendosjes i duhet të zhvillojë negociatat edhe nëse ka një objektiv për zgjedhjen e presidentit të ri.

Ndërsa, Ben Andoni tha se presidenca e Vjosa Osmanit ka lënë shumë për të dëshiruar.

“Zonja Osmani ka pasur probleme sa i përket respektimit të institucioneve të Kosovës. Ajo ka qenë vazhdimisht kritike ndaj sistemit të drejtësisë”, tha Andoni.

Analistët thanë se zbulimet nga rinumërimi në disa komuna përbëjnë një humbje të madhe për standardin e zgjedhjeve, duke shtuar se drejtësia duhet të marrë rolin e saj.

Sipas tyre, ajo që ka dalë nga numërimi në Prizren, është një dëshmi e një procesi joserioz.Ata kanë theksuar se reagimi i dytë duhet të jetë ndërhyrja e institucioneve ndaj asaj që ka ndodhur, në mënyrë që kjo të mos shndërrohet në një fenomen të vazhdueshëm.

Analistët: Kriza lodhi qytetarët, humbi besimi tek institucionet

Në “Speciale” të RTK-së u diskutua për rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor për rinumërimin e votave. Të ftuar për debat ishin gazetari Aleksandër Çipa dhe analistët Mentor Kikia dhe Ben Andoni, të cilët vlerësuan se kriza për mosformimin e shumicës parlamentare dhe vonesat e opozitës favorizuan Vetvendosjen në përgatitjen e zgjedhjeve dhe përfitimin politik.

Analistët theksuan se periudha e krizës solli lodhje tek qytetarët dhe humbje besimi tek institucionet.

Aleksandër Çipa vlerësoi se kriza për mosformimin e një shumice parlamentare nga Vetvendosja u shndërrua në një strategji që e favorizoi partinë në përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Ai theksoi se lodhja e elektoratit dhe mungesa e një alternative të fortë nga opozita, si LDK dhe PDK, e bëri të mundur që Vetvendosja të merrte avantazh në nivel administrativ dhe strukturor.

Sipas Çipës, opozita tregoi mungesë përgatitjeje dhe strategjie.

“LDK-ja nuk dha prova të një alternative qeverisëse, ndërsa PDK-ja reagoi vetëm me ndryshimin e kryetarit, duke lënë hapësirë Vetvendosjes për të përfituar”, tha ai.

Mentor Kikia shtoi se periudha e krizës u shndërrua në një “telenovelë politike”, ku vendosmëria e Vetvendosjes për të mos formuar shumicë dhe për të mos zgjedhur kryetarin e parlamentit u përdor si avantazh politik nga Albin Kurti. Kjo periudhë, sipas Kikias, solli lodhje tek opozita dhe humbje besimi tek qytetarët.

“Kjo tregoi rezistencën e Albin Kurtit dhe Vetvendosjes për të mos lejuar kompromis, gjë që pati kosto për opozitën, e cila u shndërrua në një faktor bllokues. Vendosmëria për të mos krijuar një shumicë dhe për të mos zgjedhur kryetarin e parlamentit të propozuar nga Vetvendosja, në momentin që shkuan në zgjedhje, u prezantua nga Kurti si fitore, duke shfrytëzuar situatën në favor të partisë së tij. Kjo periudhë krize krijoi lodhje tek opozita dhe humbje besimi tek qytetarët”, tha Kikia.

Ben Andoni vuri në dukje se, krahasuar me zgjedhjet lokale të kaluar, Vetvendosja shtrihej tani në 12 komuna, ndërsa më parë kishte fituar vetëm tre. Ai shpjegoi se ndryshimi lidhej me dobësitë organizative të partive të tjera.

"LDK-ja nuk arriti të menaxhonte përplasjet e brendshme, ndarja që ka pasur Guxo ka pasur impakt të madh , ndërsa PDK-ja mbeti e paqartë për publikun lidhur me udhëheqësinë e saj. Vetvendosja, nga ana tjetër, ruajti vazhdimësi dhe stabilitet, duke maksimizuar pjesëmarrjen e votuesve dhe duke rritur besueshmërinë ndaj pushtetit përmes figurës së Kurtit", tha ai.

Analistët u pajtuan gjithashtu se periudha e krizës politike krijoi lodhje tek qytetarët, duke e bërë Vetvendosjen të përfitonte si faktor stabil dhe i besueshëm.


MË SHUME NGA Lajme