`Sytë e Ujkut`, traumat dhe heshtja në skenën e festivalit `Talia e Flakës`
BKT
Kulturë

`Sytë e Ujkut`, traumat dhe heshtja në skenën e festivalit `Talia e Flakës`

Sh.Çoçaj|RTKlive

Në natën e dytë të festivalit të dramës shqipe “Talia e Flakës 2026” në Gjilan, publiku ndoqi shfaqjen “Sytë e Ujkut”, një produksion i Teatrit Eksperimental, i cili funksionon në kuadër të OJQ-së “Integra”.

Shfaqja trajton me ndjeshmëri dhe thellësi stigmatizimin shoqëror në Kosovën e pasluftës, duke sjellë një rrëfim të fuqishëm mbi traumën, heshtjen dhe pasojat e konfliktit mbi familjet dhe individët, thuhet në njoftim.

Ekipi artistik përbëhet nga: autore Doruntina Basha, regjisor Kushtrim Koliqi, dhe aktorët Irena Aliu, Edona Reshitaj, Armend Smajli dhe Albina Krasniqi, të cilët i dhanë jetë një historie të ndjeshme dhe sfiduese, duke portretizuar tri breza grash dhe marrëdhëniet e tyre komplekse me një botë të dhimbshme.

Sipas njoftimit, prologu, i vendosur në një shtëpi malore mbi një fshat të vogël, prezanton gjyshen në karrocë invalidore, që udhëheq publikun në këtë hapësirë të mbyllur, ku trauma dhe kujtesa e dhimbshme ndërthuren në një dimension emocional dhe psikologjik. Nënat dhe vajzat, me heshtjen dhe izolimin e tyre, krijojnë një atmosferë ku dhimbja dhe stigmatizimi perceptohen si pjesë integrale e rrëfimit.

"Skenografia modeste, por funksionale, mbështet rrjedhën dramatike, ndërsa muzika tradicionale, e interpretuar nga nusja, shërben si mjet shprehjeje dhe si mënyrë për të përballuar dhimbjen shpirtërore të personazheve", theksohet në njoftim.

Sipas njoftimit, një vlerë e veçantë e shfaqjes është rrjedhshmëria dramaturgjike: nga prologu te kulminacioni dhe epilogu, çdo moment është i ndërtuar me kujdes, duke mbajtur publikun të përqendruar deri në momentin final, kur dhunuesi përballet me pasojat e veprimeve të tij.

"Shfaqja u shoqërua me diskutime pas performancës, ku publiku, përbërë kryesisht nga përfaqësues të jetës publike dhe artistike, dha mendime të ndryshme, nga kritika e matur deri te miratimi i qasjes regjisoriale dhe trajtimit të temës. Ky dialog pas-shfaqjes konfirmoi rolin e festivalit si hapësirë për shkëmbim mendimesh dhe reflektim mbi artin skenik", theksohet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Festivali “Talia e Flakës” vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm si platformë për promovimin e krijimtarisë teatrale shqiptare, duke ofruar artistëve mundësi për zhvillim profesional dhe publikut një panoramë të pasur të teatrit shqip.

Në netët e ardhshme, programi përfshin shfaqje nga Teatri i Ferizajt, Teatri i Gjilanit dhe Teatri Kombëtar i Kosovës, duke kompletuar edicionin 2026 me një ofertë të larmishme artistike.


MË SHUME NGA Kulturë