“Petite Messe Solennelle” e Rossinit, premier e suksesshëme në Tiranë
Shqipe Gashi|RTKlive
Në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor u mbajt me sukses premiera e veprës monumentale “Petite Messe Solennelle” nga Gioachino Rossini, duke u pritur me entuziazëm nga publiku.
Nën drejtimin e dirigjentit Facundo Agudin, Kori i Filharmonisë së Kosovës iu bashkua Korit dhe Orkestrës së TKOBAP – Tiranë, duke realizuar një interpretim të nivelit të lartë artistik. Koncerti u pasurua nga solistët Svetlana Aksenova (soprano), Enkeleida Shkoza (mezzosoprano), Klodjan Kaçani (tenor) dhe Rubén Amoretti (bas), të cilët u duartrokitën gjatë për interpretimin e tyre.
Pas këtij suksesi, vepra do të interpretohet edhe në Prishtinë, më 30 janar 2026, në ora 19:30, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit – Atelieja. Në këtë koncert do të interpretojnë Kori i TKOBAP – Tiranë, i përgatitur nga Dritan Lumshi, së bashku me Korin e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, me shoqërimin e Pranvera Hoxhës (harmonium), Andi Durakut dhe Lekë Salihut (piano).























