Libri ‘Drejt dritës’, një rrëfim thellësisht njerëzor mbi mërgimin
Kimete Kasumi/ RTKlive
Libri “Drejt dritës” paraqet një rrëfim reflektues dhe thellësisht njerëzor mbi jetën e Kimete Mitrovicës, i vendosur në sfondin më të gjerë të mërgimit shqiptar, represionit politik dhe përpjekjeve të gjata për dinjitet, liri dhe përkatësi.
Bashkautori i librit, Bernard Nikaj, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK theksoi se libri sjell për lexuesin një copëz të rëndësishme dhe interesante të historisë sonë kolektive, e cila u bë shtysë që autorët të ulen dhe ta përgatisin këtë vepër.
“Kimete Mitrovica është një grua në moshë që vjen nga një familje me bagazh të pasur kombëtar. Ajo është vajza e Xhelal Mitrovicës, mbesa e Dervish Bej Mitrovicës dhe e Xhafer Devës, një familje me kontribut dhe aktivitet të madh kombëtar gjatë periudhave të ndryshme të historisë shqiptare, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Megjithatë, jeta e saj nis në mërgim, larg atdheut”, tregoi ai.
“Në bisedat tona kam parë se zonja Kimete ka një histori që jo vetëm e përshkruan atë si njeri përmes periudhave të ndryshme kohore, por edhe ngërthen një pjesë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare – nga periudha pas Luftës së Dytë Botërore, përpjekjet për demokraci dhe liri në Shqipëri, deri te proceset e shtetndërtimit të Kosovës”, tha Nikaj.
I ndërtuar përmes një sërë bisedash të përpunuara me kujdes, libri ndërthur kujtesën personale me historinë kolektive, duke ofruar një dëshmi të rrallë në vetën e parë për mërgimin, jo vetëm si zhvendosje fizike, por si proces jetësor i formimit të identitetit.
E lindur në një familje të formësuar nga kontributi kombëtar dhe përndjekja politike, jeta e Kimete Mitrovicës shpaloset përtej kufijve dhe sistemeve politike, nga trauma e ndarjes së detyruar dhe mërgimit, deri te qëndrueshmëria e heshtur dhe rindërtimi i jetës në vende të huaja.
Duke sjellë kujtesën personale në dialog me historinë, “Drejt dritës” u ofron lexuesve një rrëfim autentik dhe njerëzor mbi mërgimin, një rrëfim që shkon përtej traumës dhe fton në reflektim.























