Festivali i Filmit të Stambollit u prit në Prizren e Prishtinë
BKT
Kulturë

Festivali i Filmit të Stambollit u prit në Prizren e Prishtinë

Enis Tabak/RTK

Festivali Eksperimental i Filmit të Stambollit, me organizimin e Lumbardhit, u prit nga publiku përmes shfaqjeve filmike dhe performancave të mbajtura në Prishtinë dhe Prizren.

Në kuadër të festivalit, pas shfaqjeve të realizuara të enjten dhe të premten në kinemanë Kino Armata në Prishtinë, aktivitetet vazhduan sonte dhe do të vazhdojnë nesër në Prizren, në sallën e kinemasë Doku Kino.

Në natën e parë në Prizren, publikut iu prezantuan pesë filma eksperimentalë, të realizuar tërësisht nga regjisorë turq. Ndërsa nesër mbrëma do të shfaqen gjashtë filma eksperimentalë ndërkombëtarë, të përzgjedhur nga seleksioni i Festivalit Eksperimental të Filmit të Stambollit.

Në shfaqjet e mbajtura në Prizren morën pjesë edhe drejtuesit e festivalit nga Stambolli, Yavuz Gözeller dhe Öykü Sakarya. Pas shfaqjeve filmike, publiku pati mundësinë të ndjekë edhe performancën e Altay Erlik dhe Arsan Salaryfar.

Ngjarjet u realizuan nën organizimin e Lumbardhit, në bashkëpunim me Dokufest, Kino Armata, Radio Kolektiv dhe Festivalin Eksperimental të Filmit të Stambollit. 


MË SHUME NGA Kulturë