Promovimi i monografisë personale të piktorit Esat Valla
BKT
Kulturë

Promovimi i monografisë personale të piktorit Esat Valla

Shqipe Gashi|RTKlive

Promovimi i monografisë personale të piktorit Esat Valla solli para publikut një përmbledhje të një krijimtarie të gjatë dhe të qëndrueshme artistike, të ndërtuar mbi përkushtim, identitet dhe ndjeshmëri estetike.

Monografia, me autor Zeni Ballazhin, nuk është vetëm një libër mbi artin pamor, por edhe një rrëfim i detajuar për rrugëtimin krijues të një artisti që ka lënë gjurmë të rëndësishme në skenën kulturore të Kosovës.

I ftuar në studion e programit të mëngjesit në RTK, autori Zeni Ballazhi tha se kjo monografi shkon përtej një prezantimi të zakonshëm biografik.

“Ne kemi bërë një monografi e cila nuk është vetëm thjesht libër sa për të treguar biografinë apo krijimtarinë e artistit, por është një monografi cilësore ku flitet kryesisht për veprat e artit dhe krijimtarinë e tij që nga fëmijëria deri në ditët e sotme. Është një rrugëtim i ndërtuar kronologjikisht, që nga formësimi i tij si artist e deri në ditët e sotme”, tha Ballazhi.

Ai theksoi se në artet pamore, vepra është elementi kyç i vlerësimit artistik.

“Veprat janë ato që flasin më shumë se sa teksti. Sidomos tek artet pamore, secila pikturë ka historinë e vet. Secila vepër e Esat Vallës mbart një rrëfim në vete, prandaj kjo monografi është një përmbledhje që dëshmon më qartë trashëgiminë e arteve pamore në Kosovë”, u shpreh Ballazhi.

Monografia e Esat Vallës vlerësohet si një kontribut i rëndësishëm për dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë artistike në vend.


MË SHUME NGA Kulturë