Jashari dekoron pjesëtarët e FSK-së për operacionin në Shqipëri
Emine Hoti/RTKlive
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti në takim pjesëtarët e njësisë së Kërkim Shpëtimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së, të cilët kanë qenë të angazhuar në operacionin humanitar të kërkim shpëtimit në Shqipëri.
Fillimisht, gjeneral Jashari falënderoi pjesëtarët që kanë qenë të angazhuar në operacionin humanitar të kërkim shpëtimit në Klos, të Republikës së Shqipërisë.
“Me këtë rast Gjenerallejtënant Jashari i përgëzoi për punën, profesionalizmin dhe angazhimin pjesëtarët në fjalë, të cilët e përfunduan me sukses këtë operacion në kushte të ftohta dimërore”, thuhet në njoftim.
Në fund të takimit, Jashari dekoroi pjesëtarët e angazhuar në këtë operacion humanitar me medaljen “Shërbim Vetëmohues” dhe dekoroi me “mirënjohje” njësinë në fjalë.
Forca e Sigurisë së Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, duke dëshmuar ngritje të kapaciteteve dhe profesionalizëm si brenda ashtu edhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës.























