Prokuroria e Prizrenit nis hetimet për votat e rinumëruara në Dragash
Valbona Thaçi / RTKLive
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka inicuar hetime me vetiniciativë lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash.
"Hetimet janë duke u zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, pas pranimit të informatave publike dhe me autorizim të Kryeprokurorit, Petrit Kryeziu", njofton Prokuroria Themelore në Prizren .
Sipas Prokurorisë, hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parapara në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të cilat lidhen me shkeljen e të drejtave të votimit.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet një komunikatë shtesë me informacione mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejshme hetimore.
Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria po ndërmerr veprime hetimore në Komunën e Dragashit.























