Nis fushata “Një shkollë, një artikull”
Shqipe Gashi|RTKlive
Ka nisur fushata “Një shkollë, një artikull”, një iniciativë edukative e organizuar nga Wikimedians, që synon promovimin e shkrimit në Wikipedia dhe pasurimin e përmbajtjes në gjuhën shqipe, me fokus shkollat.
Për të folur më shumë rreth këtij projekti, në programin e mëngjesit në RTK, në një lidhje të drejtpërdrejtë, ishte e ftuar menaxherja e projektit, Era Qena.
“Domethënë, një prej ideve kryesore ka qenë promovimi i shkrimit në Wikipedia, dhe përveç kësaj ka qenë gjithmonë ideja që të shtyjmë shkollat, që të kuptojnë edhe nxënësit, edhe arsimtarët se ka vlerë të shkruhet në Wikipedia, sepse shpesh njerëzit e mendojnë se është veç një enciklopedi në internet, po faktikisht ka shumë aftësi që shkojnë në krijimin e tyre dhe ka diçka shumë të vlefshme në anën e shkrimit akademik. Mësohesh të referosh burime, edhe mësohesh të dallosh faktikisht informacionet që nuk janë të sakta”, tha Qena.
Ajo theksoi se në Wikipedia në gjuhën shqipe ka mungesë të artikujve për shkollat, krahasuar me versionet në gjuhë të tjera.
“E përveç kësaj, edhe nëse hyn në Wikipedia, në krahasim me Wikipedia-n në anglisht, mundesh të vëresh që për shkollat që janë në shqip nuk ka shumë artikuj. Ne kemi menduar si një aktivitet masiv, ku përveçse angazhojmë arsimtarët dhe nxënësit, arrijmë të rrisim artikujt e shkollave, që faktikisht mund të jenë shumë të vlefshme. Mundesh të ia shkruash emrin dhe mundesh ta gjesh në Wikipedia”, tha Qena.
Fushata synon zhvillimin e shkathtësive të shkrimit akademik, përdorimin e burimeve të besueshme dhe mendimin kritik, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen e përmbajtjes së Wikipedia-s në gjuhën shqipe.























