Përfundon fjala e mbrojtjes së Selimit, kërkohet të shpallet i pafajshëm
Valmira Saraçi| RTKlive
(E plotësuar) Ka përfunduar fjala e fundit e mbrojtjes së Rexhep Selimit pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. I fundit që foli ishte avokati, Geoffrey Roberts, që tha se Rexhep Selimi duhet të shpallet i pafajshëm dhe të lejohet të kthehet te familja e tij në Kosovë.
“Ne nuk jemi fshehur nga trajtimi i pretendimeve të ZPS-së dhe provave mbi të cilat mbështetet ZPS-ja. Kjo nuk do të thotë që duke iu referuar pretendimeve të ngritura nga ZPS-ja ndaj Selimit, këto pretendime dhe akuza duhet të marrin ndonjë peshë”, tha ai.
Sipas tij, provat kundër Selimit për të gjitha akuzat e ngritura nga ZPS-ja, janë kontradiktore, nuk kanë besueshmëri dhe janë të pabazuara.
“Në veçanti pretendimet se Selimi personalisht ka marrë pjesë në ndonjë krim të pretenduar, rrëzohen tërësisht nëse bëhet një analizë e kujdesshme e provave që ka parashtruar prokuroria”, tha ai.
“Unë kuptoj që ky proces gjyqësor ku ka palë kundërshtare dhe e kuptoj që ZPS-ja duhet t’i parashtrojë provat e veta në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe sigurisht që qëllimi i tyre është të tërheqë vëmendjen tuaj në ato prova që janë të favorshme ose iu shërbejnë argumenteve të tyre. Megjithatë parashtroj se ka një dallim të madh, midis ZPS-së që përqendrohet në pjesët më të forta të provave të saj, siç beson Prokuroria dhe tërësisht duke injoruar ose anashkaluar kontradiktat prej informacionit që paraqet ajo. Mendojmë që një gjë e tillë e kalon cakun e prezantimit të palëve kundërshtare dhe shkon në keqinterpretim dhe mosveprim. Të nderuar gjykatës, juve nëse do t’i vlerësoni me imtësi provat do të mbërrini në këtë përfundim, që Selimi është tërësisht jo i fajshëm, pra është i pafajshëm për të gjitha akuzat që ka ngritur ZPS-ja ndaj tij. Si rezultat, Selimi duhet të deklarohet jo fajtor dhe të shkojë në vendin e vet, të familja e vet në Kosovë. Nuk ka asnjë besueshmëri të akuzave që ZPS-ja ka ngritur për z. Selimi”, përfundoi fjalën e tij Roberts .
Mair: Shumë ushtarë e komandantë nuk dinin për ekzistencën e Shtabit
( E plotësuar) Në dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon seanca me deklaratat e mbrojtjes së Rexhep Selimit.
Chad Mair, pjesë e ekipit mbrojtës së Rexhep Selimit, tha se kishte në mend që t’i drejtohej gjykatësve lidhur me dështimin, sipas tij, të prokurorisë për të vërtetuar akuzat e tyre për krime kundër njerëzimit, por, tha se, duke pasur parasysh parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit të mërkurën me të cilat tha se pajtohen e që shtoi se ishin shumë bindëse. Prandaj, tha se nuk do të përdorë kohën e gjykatës për të ripërsëritur ato.
Mair ka kërkuar që të bëhet një shqyrtim i hollësishëm i dosjes së ZPS-së. “Konkretisht pjesën e krimeve kundër njerëzimit, sepse kjo pjesë është mbushur me referenca të shumta të ngatërruara”, tha ai.
Tutje,derisa vazhdoi fjalën e tij, Mair tha se shumë ushtarë të UÇK-së, përfshirë edhe komandantët nuk dinin për ekzistencën e Shtabit të Përgjithshëm, apo anëtarëve të tyre.
“Vetë zonat ishin në zhvillim e sipër dhe në pjesën më të madhe të paformuara dhe kjo vlen për pjesën e parë të vitit 1998. Kjo nuk është strukturë me zinxhirë komandues, kjo është një grumbullim njësitesh lokale, njësitesh guerile që veprojnë në mënyrë të pavarur dhe horizontale, pa ndonjë kohezion. Dhe brenda Shtabit të Përgjithshëm, në këtë moment kohor nuk kishte strukturë komanduese të vërtetë dhe nuk kishte përcaktim të qartë të përgjegjësive. Shumë prej anëtarëve të Shtabit të UÇK-së, ishin jashtë vendit dhe lëviznin dhe nuk ishin së bashku në një vend. Ajo që është me rëndësi, është mungesa e provës që Shtabi i Përgjithshëm në fakt kishte autoritet për të caktuar detyra apo të për zbatuar urdhra”, tha ndër të tjera.
Shtoi se atë kohë kishte mungesë të vazhdueshme të armëve, dhe kryesisht ishin armë të lehta, derisa tha se kishte mungesë të vazhdueshme dhe të qartë të mjeteve të komunikimit të cilat ishin të kufizuara dhe kufizonin, siç tha, aftësitë për të koordinuar operacionet apo sulmet.
“Edhe nëse njësitë individuale të caktuara kanë gjetur mjete komunikimi, funksionimi i tyre ishte i kufizuar, për shkak të ndërprerjes së vazhdueshme të energjisë elektrike apo përgjimeve të mundshme”, deklaroi ai.
Tully: Policia ushtarake e UÇK-së nuk ka qenë nën përgjegjësinë e Selimit
(E plotësuar) Avokati i Selimit ka vazhduar duke thënë se i vetmi dëshmitar që ka thirrur ZPS-ja, që pretendoi se kishte dijeni për urdhra specifik të lëshuara prej Selimit në cilësinë e ministrit të Rendit Publik ka qenë dëshmitari 04748 që është përshkruar nga vetë anëtarët e familjes si gënjeshtar.
“Vetëm për një çast mendoni sa i rëndësishëm është roli i shefit operativ të policisë së një vendi edhe në një situatë jashtë konfliktit në Kosovë në qershor të ’99. Minimalisht do të kishim pritur të shihnim, urdhra, udhëzime që të buronin prej këtij komandanti operativ drejtuar vartësve, por s’kemi parë asnjë të tillë. Asnjë shembull të ndonjë urdhri , ndonjë udhëzimi, në asnjë moment, asnjë policie, në asnjë zonë të Kosovës, as nuk është lëshuar nga z. Selimi as në emër të z. Selimi. I vetmi dokument që ZPS konsideron një urdhër është një komunikatë e lëshuar në emër të z. Selimi , më 14 qershor të ’99, konkretisht është prova 515 pika 69. ZPS nuk ka thirrur një dëshmitar të vetëm ta njoh këtë dokument, as nuk kemi ndonjë precedent, edhe formulimi është kaq i vagullt dhe asgjë në përmbajtje nuk tregon që pushteti i shefit të policisë dhe UÇK-së i ishte transferuar ministrit të Rendit Publik”, tha ai.
Tully tha se nuk mund të konsiderohet ky dokument si një urdhër, pasi tha se as nuk i afrohet një urdhri, sepse, sipas tij, ky dokument nuk tregon që Selimi të ketë pasur kontroll apo autoritet operativ.
“ I vetmi dëshmitar që ka thirrur ZPS që pretendoi se kishte dijeni për urdhra specifik të lëshuara prej z. Selimi në cilësinë e ministrit të Rendit Publik ka qenë dëshmitari 04748 që është përshkruar nga vetë anëtarët e familjes si gënjeshtar. Një person që nuk ka qenë as në UÇK në atë kohë e jo më të ketë qenë në Ministrinë e Brendshme. Ai kishte një injorancë totale se si ka funksionuar UÇK-ja aso kohe, një person që në mënyrë krejt të pabazë ka pretenduar se ka pasur marrëveshje të fshehta mes KFOR-it dhe Policisë, dhe pavarësisht spekulimeve të tij lidhur me urdhrat e lëshuara nga z. Selimi ai e pranon gjatë kundër pyetjeve se nuk kishte pasur dijeni personale në lidhje me ndonjë urdhër të marrë prej policisë në verën e ’99-ës, e më konkretisht ai nuk kishte asnjë njohuri që komandantët e zonave kishin marrë urdhër nga ministri i Rendit Publik”.
Tully: Policia ushtarake e UÇK-së nuk ka qenë nën përgjegjësinë e Selimit

( E plotësuar) Në dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon seanca me deklaratat e mbrojtjes së Rexhep Selimit. Avokati Eric Tully tha policia ushtarake e UÇK-së ka qenë nën përgjegjësinë e komandantëve të zonave dhe nuk ka qenë nën përgjegjësinë e Rexhep Selimit.
“Nuk ka ekzistuar një polici e tillë e UÇK-së ose Ministrisë së Rendit Publik që është organizuar ose mbikëqyrur nga Selimi, sikurse pretendon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Unë do shtoja që mungesa e dokumenteve operative që mbështesin pretendimet e ZPS-së, sa i takon kontrollit të Ministrisë së Rendit Publik mbi policinë ushtarake është domethënës lidhur me këtë”, tha Tully.
Avokati tutje tha se disa dokumente që janë mbledhur prej prokurorisë nuk tregojnë që Selimi ka pasur ndonjë autoritet funksional ose ka ushtruar ndonjë kontroll mbi ndonjë forcë policie. “Pretendimi i ZPS lidhur me themelimin e policisë së ministrisë së rendit publik nga Selimi në prill të ’99 është i pambështetur dhe i rremë”, vijoi ai.
“ ZPS nuk a dhënë prova për të vërtetuar që veprimet ose mosveprimet e Selimit si ministër ri rendit publik kanë luajtur ndonjë rol në kryerjen e krimeve në aktakuzë apo që ai është përgjegjësi për veprimet e personave të tjerë lidhur me kryerjen e krimeve të ngritura në aktakuzë. Në dosjen e vetë përfundimtare, ZPS duket se nuk është e vendosur sa i takon përshkrimit të autoritetit të Selimit. Në paragrafin 503 thuhet se Selimi kishte kontroll operacional ose operativ mbi policinë, ndërkohë në paragrafin 532 duket sikur ka ndryshuar disi pak mendjen ZPS duke pretenduar se kishte autoritet operacional mbi policinë dhe që ai ishte i pozicionuar për të udhëzuar veprimet e tyre. Pra pavarësisht termave që përdorë UCK-ja ajo nuk ka dhënë asnjë provë për mbështetjen e asnjë prej qëndrimeve të saj”, tha Tully.
LIVE|Seanca me deklaratat e mbrojtjes së Selimit
Valbona Thaçi| RTKLive
(E potësuar, ora 09:45) Në Speciale ka filluar seanca me deklaratat e mbrojtjes së Rexhep Selimit.
Në Speciale vazhdon seanca me deklaratat e mbrojtjes
Sot në Speciale do të vazhdojë seanca me deklaratat e mbrojtjes.
Mbrojtja e Selimit pritet ta vazhdojë edhe sot fjalën përfundimtare.
Dje kanë folur mbrojtësi i Kadri Veselit, Rodney Dixon dhe mbrojtësi e Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts.
Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, dje në vazhdim të deklaratës e tij përmbyllëse, shtoi se në këtë proces Prokuroria ka përmendur shumë emra që nuk janë të akuzuar, duke synuar të lidhë këta persona me të akuzuarit përmes pretendimit të një qëllimi të përbashkët kriminal.
Avokati Rodney Dixon ka thënë se Kadri Veseli është tërësisht i pafajshëm dhe këtë e vërtetojnë shumë pika. Ai tha se Veseli duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm.
Parashtrimet e mbrojtjes pritet të vazhdojnë gjatë edhe në fillim të javës së ardhshme.























