Deputetët shqiptarë propozojnë rezolutë për ish-krerët e UÇK-së
BKT
Lajme

Deputetët shqiptarë propozojnë rezolutë për ish-krerët e UÇK-së

Besnik Iseni|RTK

Pas Kosovës dhe Shqipërisë, edhe deputetët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dorëzuan sot në procedurë parlamentare Propozim-Rezolutën për respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor në gjykimin ndërkombëtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Këtë e bëri të ditur Bashkimi Demokratik për Integrim.

Deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Aleancës për Shqiptarët – krahu i Arben Taravarit – kanë dorëzuar sot pasdite në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut një Propozim-Rezolutë për respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor në gjykimin ndërkombëtar ndaj ish-krerëve të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në deklaratën me shkrim të lëshuar nga partitë shqiptare në opozitë thuhet se: "Kjo propozim-rezolutë mbështetet në parimet kushtetuese dhe në standardet ndërkombëtare të drejtësisë, duke riafirmuar përkushtimin ndaj shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimit të plotë të të drejtave themelore të njeriut, ashtu siç përcaktohen në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut."

Deputetët nënshkrues u bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit, pa dallim përkatësie politike, që t’i bashkohen kësaj nisme dhe ta mbështesin Rezolutën me votë.

Sipas BDI-së, kjo rezolutë mbështetet në parimet kushtetuese dhe në standardet ndërkombëtare të drejtësisë, duke riafirmuar përkushtimin ndaj shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimit të plotë të të drejtave themelore të njeriut, ashtu siç përcaktohen në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut.

“Nëpërmjet kësaj nisme parlamentare kërkohet që proceset gjyqësore që po zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare, duke garantuar prezumimin e pafajësisë, mbrojtjen efektive dhe gjykimin brenda një afati të arsyeshëm për të gjithë të akuzuarit”, thuhet në një postim të BDI-së.

Tutje, thuhet se rezoluta, ndër të tjera, vlerëson kontributin e udhëheqësve institucionalë dhe të pjesëtarëve të luftës çlirimtare të Kosovës në proceset e paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të rajonit, duke theksuar se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, profesionale dhe e pavarur nga çdo ndikim politik.

Deputetët nënshkrues u bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit, pa dallim përkatësie politike, që t’i bashkohen kësaj nisme dhe ta mbështesin rezolutën me votë, në funksion të forcimit të parimeve universale të drejtësisë dhe respektimit konsekuent të standardeve ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të paanshëm, thuhet në njoftimin e Bashkimit Demokratik për Integrim.


MË SHUME NGA Lajme