Kurti takon deputetët e Bundestagut
Besart Galica /RTK - Mynih
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është uruar për mandatin e tretë si kryeministër edhe nga deputetët e Bundestagut gjatë qëndrimit të tij në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, duke shënuar kështu një tjetër mbështetje të rëndësishme ndërkombëtare.
Kurti i falënderoi përfaqësuesit gjermanë për mbështetjen dhënë Kosovës. Në këtë takim u diskutua për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral.
"Thellimi i bashkëpunimit bilateral, ishte ndër temat e diskutimit. Kryeministri ftoi për më shumë investime gjermane në Kosovë, gjersa ky mandat qeverisës do të jetë mes tjerash edhe i hekurudhave, ndërtimit të digave për ujë të pijes, stadiumeve, në kuadër të organizimit të Lojërave Mesdhetare", thuhet pos tjerash në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.
Më herët gjatë konferencës, Kurti u urua për mandatin e tretë edhe nga administratori i UNDP, Alexander De Croo, si dhe nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Këto takime vijojnë një seri takimesh bilaterale që Kurti ka zhvilluar gjatë konferencës, duke përfshirë edhe takimin e sotëm me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Gjatë takimeve në Mynih, në fokus ishin siguria rajonale, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe zhvillimet aktuale gjeopolitike, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë.























