Rogova Gaxha: Ekspozitë dhe dokumentar për 18-vjetorin e Pavarësisë
BKT
Kulturë

Rogova Gaxha: Ekspozitë dhe dokumentar për 18-vjetorin e Pavarësisë

Kimete Kasumi/ RTKlive

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, drejtoresha Blerina Rogova Gaxha, ka prezantuar aktivitetet që po organizohen në kuadër të 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republika e Kosovës.

Në një lidhje për emisionin Mirëmëngjesi Kosovë për RTK-në ajo bëri me dije se këtë vit Biblioteka ka përgatitur një aktivitet kulturor të përbërë nga dy pjesë, një dokumentar me rrëfime qytetarësh dhe një ekspozitë fotografish.

Sipas saj, dokumentari përmbledh dëshmi dhe përjetime nga qytetarë të profileve të ndryshme, përfshirë fotografë, publicistë, veteranë të arsimit dhe fëmijë, me synimin për të kapur emocionin dhe kujtesën kolektive të 17 shkurtit 2008.

“Ekspozita përbëhet nga fotografi të realizuara nga fotografi i njohur Adnan Ruhani, të cilat ekspozohen për herë të parë. Ato janë të ndara në 18 cikle, që simbolizojnë 18 vitet e shtetit të Kosovës, dhe ndjekin kronologjinë e ditës së shpalljes së pavarësisë, nga fillimi deri në mbrëmje”,  tregoi ajo.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë javës për vizitorët, në kuadër të aktiviteteve të Javës së Pavarësisë.

Ajo tha se sot nga ora 11:00 do të hapet edhe ekspozita organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës "Personalitetet e Kosovës në Qeveritë e Shqipërisë, 1920 –1944", e cila flet për figurat e qeverive shqiptare.


MË SHUME NGA Kulturë