Tahiri: Po flasim për një buxhet që nuk reflekton aspak
Kimete Kasumi/ RTKlive
Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) deklaroi se buxheti i miratuar për vitin 2026 do të vlerësohet nga dy perspektiva, politike dhe teknike, në mënyrë që qytetarët të kuptojnë qartë dokumentin financiar me të cilin do të operojë Kosova këtë vit.
Tahiri theksoi se buxheti është miratuar nga qeveria në detyrë, por në thelb mbetet i njëjtë me draftin e mëhershëm të përgatitur në tetor 2025, duke përfshirë vijat buxhetore, projektet kapitale dhe ndarjet për mallra e shërbime.
Sipas tij, qytetarëve duhet t’u bëhet e qartë se nuk ka pasur ndërhyrje politike apo ndryshime të ndikuara nga rezultati zgjedhor në përmbajtjen e buxhetit. Ai shtoi se ndryshimet e parashikuara tashmë janë reflektuar në ekspozimin e kryeministrit dhe në synimet strategjike.
"Qytetarëve të Kosovës duhet t’u thuhet se qeveria nuk ka asnjë veprim politik ose mbi rezultatin zgjedhor për të sjellë një buxhet para nesh. Me ndryshimet që ishin parashikuar, ato reflektohen edhe në ekspozimin që e përgatiti kryeministri dhe në synimet strategjike. Pra, po flasim për një buxhet provizor për disa muaj, për një buxhet që për pak muaj do t’i nënshtrohet një rishikimi”, tha Tahiri.
Ai theksoi ndër të tjera se "po flasim për një buxhet që nuk reflekton aspak asgjë që është premtuar këtu nga ekspozeu i kryeministrit".























