Konjufca: Askush nuk mund të shkelë mbi ushtrinë tonë të lavdishme
Elmina Osmani / RTK
(e plotësuar) Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, nga Haga, ka thënë se askush nuk mund të shkelë mbi ushtrinë tonë të lavdishme që Kosova e ka krijuar.
“Për të treguar gjithë botës se kjo është vlera më sublime që e ka krijuar vendi ynë Kosova, qëndron në themel të shtetit tonë dhe do të mbrohet në çdo kusht dhe me çdo çmim,” tha ai.
Kryediplomati Konjufca arrin në Hagë
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka arritur ne Hagë.
Ai po merr pjesë në një organizim të Ambasadës së Kosovës në Hagë, kushtuar Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Ndryshe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ditë më parë për RTK, ka thënë se kur është puna për UÇK-në, nuk ka parti politike.
"Ne duhet të tregojmë që jemi unik si popullatë, si qytetarë, kur përballemi me akuza ndaj UÇK-së dhe kur është puna për UÇK-në, nuk ka parti politike”, tha ai në një intervistë për RTK.
Konjufca, bëri me dije se është hera e tretë që do të shkojë prapë në Hagë është procesi përmbyllës.
"Janë fjalët përmbyllëse të ekipeve të mbrojtjes së zotit Thaçi, Jakup Krasniqi, zotit Selimi dhe zotit Veseli. Ne si shtet mendojmë që kjo ishte një aktakuzë skandaloze sa i përket krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne kemi qëndrimin e qartë që UÇK-ja është në bazën e lirisë edhe pavarësisë së shtetit tonë. Ajo është vlera më sublime që ka arrit me kriju populli i Kosovës”, tha Konjufca.























