Filharmonia e Kosovës shënon 18-vjetorin e Pavarësisë me Koncert Solemn
Shqipe Gashi|RTKlive
Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Filharmonia e Kosovës ka realizuar me sukses Koncertin Solemn me pjesëmarrjen e Korit dhe Orkestrës së saj.
Koncerti u drejtua nga dirigjenti Baki Jashari, ndërsa si solistë u paraqitën Betim Krasniqi dhe Vendim Kapaj – “Mjeshtër i Madh”. Programi përfshiu Uverturën nga opera Nabucco, veprën “Gloria” të kompozitorit John Rutter, si dhe tri vepra premierë nga kompozitorët Aleksandër Vezulli, Aulon Naçi dhe Valton Beqiri.
Në mesin e tyre ishte edhe “Numquam Iterum – Lamenti i Nënës”, e komisionuar në bashkëpunim me Fondacioni Jahjaga, si dedikim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Filharmonia e Kosovës shprehu mirënjohje për publikun, artistët dhe bashkëpunëtorët për kontributin në realizimin e kësaj mbrëmjeje solemne në nder të 18-vjetorit të shtetësisë së vendit.























