“Oh you Bloody Foreigners”: Historia e bendit që i bashkoi muzika
Trëndelinë BucolIi/RTK-Radio
Nga rrugët e Prishtinës së viteve ’90 deri te dritat e skenave londineze, historia e “The Bloody Foreigners” nuk është thjesht biografi bendi, është “soundtrack” i një brezi në lëvizje. Anëtarët e bendit, Ardi Kelmendi, Fatos Bejta, Fatos Dërguti u larguan nga Kosova në moshë të re, mes 15 dhe 17 vjeçare, gjatë viteve 1990, një periudhë e vështirë sociale e historike për vendin tonë.
Në intervistë për “Morning Show” në Radio Kosova 1, pas një pauze të gjatë mediale, ata ndanë përjetimet e tyre në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, historinë e migrimit e cila i ka formuar jo vetëm si njerëz, por edhe si muzikantë.
“Muzika na ka bo bashkë”, thotë Fatos Bejta, njëri prej anëtarëve të bendit, duke përmbledhur thelbin e bashkëpunimit dhe kreativitetit që i mban të lidhur qysh nga fillimi. Për ata, atë kohë, muzika nuk ishte luks, ishte strehë. Ishte mënyra për ta përkthyer mallin, revoltën, humorin dhe ironinë në tingull. Në Londër, edhe pse shumë të rinj ata nuk u tretën në turmë, përkundrazi, krijuan një identitet që përzien rock-un, punk-un dhe reggae-n me rrënjë shqiptare, një miks që nuk kërkon leje për të ekzistuar.
Albumi “Oh, Oh, Oh / Jadec” është manifesti i këtij identiteti. Këngët si “N’deti”, “Shokët e mi”, “Po Pe Merr Bre” dhe “Oj Vashë” vijnë me një energji të papërmbajtur dhe tekste që të bëjnë të qeshësh, e pastaj të mendosh. Është ajo lloj muzike e tekstesh që të kapin për krahu me humor, por të lënë duke reflektuar.
Në diasporë, ata u bënë zë i komunitetit. Në hapësira si “Koha Bar”, një pikë referimi për shqiptarët në Londër, këngët dhe muzika e tyre nuk ishin thjesht performancë, ishin takim me identitetin. Publiku i kuptonte nuancat, batutat, por edhe dhimbjen e fshehur pas ritmit.
“The Bloody Foreigners” janë më shumë se një band, ata janë një tregim i jetës së disa të rinjve që u larguan nga vendlindja në moshë të re, tregime të shpirtit dhe krijimtarisë që i lidhin historitë e temat e vendlindjes me përvojën e mërgimit. Këngët e këtij grupi, që kanë lënë gjurmë, dëgjohen e transmetohen edhe sot. Ata sjellin një zë origjinal dhe autentik që flet për krenari, sfida, humor dhe një bashkim përmes muzikës.
Një moment i rëndësishëm për bendin ishte kur kënga e tyre “Katunare” u transmetua në BBC Radio 6 nga legjenda e punk-ut Iggy Pop, duke e vendosur muzikën e tyre në një skenë të rëndësishme ndërkombëtare dhe duke sjellë vëmendje për tingujt alternativë me rrënjë shqiptare.
Sot,The Bloody Foreigners nuk flasin me zë të lartë për planet e tyre, por konfirmojnë se po punojnë në projekte të reja. Dhe nëse historia e tyre na ka mësuar diçka, është që kur ata thonë se po vijnë, po që do të vijnë me diçka që ia vlen të dëgjohet, dhe do të dëgjohet gjatë.























