Osmani merr letër urimi nga homologu somalez
Valmira Saraçi|RTKlive
Në 18-vjetorin e Pavarësisë, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Republikës Federale të Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud.
Presidenca thotë se në këtë letër homologu nga somalia ka vlerësuar këtë përvjetor si një moment me domethënie të veçantë për vendin, duke e ndërlidhur me qëndrueshmërinë e treguar ndër vite dhe orientimin e palëkundur drejt forcimit të sovranitetit, rendit demokratik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
“Ai ka vlerësuar progresin e arritur nga Kosova nën udhëheqjen e Presidentes Osmani, duke shprehur njëkohësisht besimin se vendi do të vazhdojë të forcohet dhe zhvillohet”, thuhet në njoftim.
Përmes letrës, presidenti somalez ka nënvizuar rëndësinë e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Somalisë dhe gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve.























