Krasniqi: Ju lus të gjykoni secilën provë me durim
BKT
Lajme

Krasniqi: Ju lus të gjykoni secilën provë me durim

Kimete Kasumi/ RTKlive

Në fjalimin e tij, Jakup Krasniqi kërkoi nga trupi gjykues në Hagë që të gjykojë secilën provë me durim, për çka tha se nuk do të gjejnë “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

"Qëndroj para jush jo si kriminel, por njeri i lindur dhe i kalitur nga lufta për dinjitet njerëzor. Për shumë se 5 vjet më janë mohuar të drejtat e njeriut. M’u mohua dhe m’u ndalua e drejta më njerëzore, e drejta për ta dashur hapur vendin tim. Për këto virtyte u prangosa më 4 nëntor 2020. Padrejtësia e këtij rasti u shkrua mbi vetë aktakuzën", ka thënë ai.

Ai theksoi se brezi i tij e kishte një vizion: jetën në liri. "Kur e vërteta thuhet thjesht nuk ka nevojë për zbukurime. Ishte ky vizion që udhëhoqi luftën”, ka thënë Krasniqi.

Ai tha se ky është viti i 16-të nga 75 vitet e jetës së tij që ka kaluar në bug, me të vetmin qëllim, për lirinë e Kosovës.

“Sot ndodhem në vitin tim të 16-të të burgimit vetëm pse luftova për liri dhe pavarësi të popullit tim. Po them vitin e 16-të sepse 10 vite e më tepër burg i kam kaluar nga viti 1981 deri në vitin 1991. Të kesh kaluar 16 nga 75 vitet e jetës në burg dhe të jesh privuar nga ajri i lirisë, nuk është diçka e vogël, është diçka e madhe”,  shtoi Krasniqi.

Krasniqi: NATO ndërhyri kundër krimeve të kryera ndaj shqiptarëve

Krasniqi më tej theksoi se e gjithë bota e di që NATO ndërhyri kundër krimeve të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“NATO dhe bota demokratike nuk janë rreshtuar kurrë me terrorizmin apo gjenocidin. Pa ndërhyrje dhe mbështetje ndërkombëtare liria nuk do të ekzistonte, por pa rezistencën tonë fisnike kjo nuk do të ishte arritur kurrë”, pohoi ai.

Krasniqi tha se populli shqiptar kurrë nuk planifikoi shkatërrim, por liri dhe pavarësi.

“Populli ynë kurrë nuk ka kërkuar shkatërrim apo torturë. Ne kërkonim jetë në liri dhe pavarësi, asgjë më shumë e asgjë më pak. Sot populli ynë jeton në liri. Nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do ta dënojë. Qëndroj para jush ashtu si kam qëndruar gjatë gjithë jetës sime, i përgjegjshëm ndaj së vërtetës dhe i pafrikësuar prej saj. Ia kushtova jetën time bindjes se njerëzit e meritojnë lirinë. Nëse kjo bindje gjykohet si krim, atëherë historia vetë do ta japë verdiktin pasi kjo gjykatë të ketë folur. Ju kërkoj të gjykoni secilën provë me durim dhe pa paragjykim, dhe nuk do të gjeni ndonjë ndërmarrje kriminale, por një histori njerëzore të formësuar nga shpresa dhe domosdoshmëria, nga besimi në fitore dhe demokraci. Nëse kjo bindje për lirinë tonë gjykohet drejt këtu, atëherë drejtësia jo vetëm që do të më shërbejë mua, por do ta nderojë parimin që krijoi këtë gjykatë. Këtu po e përfundoj fjalën time, duke kërkuar drejtësi e cila shihet qartë”, tha Krasniqi.


MË SHUME NGA Lajme