S`ka rekomandime për ndarje buxhetore, Hundozi: RTK dorëzoi projeksionin
Arbresha Berisha/RTK
Komisioni për Administratë Publike dhe Media nuk ka dhënë rekomandime mbi ndarjet buxhetore për sivjet. Deputetët e këtij komisioni thanë se nuk kanë pranuar kërkesa nga institucionet publike rreth nevojave buxhetore. Megjithatë, u.d drejtori i Radiotelevizionit të Kosovës, Hysen Hundozi potencoi se projeksionin buxhetor ia kanë dërguar legjislaturës së re.
Komisioni për Administratë dhe Media nuk ka dhënë asnjë rekomandim rreth buxhetit që parashihet t’u ndahet institucioneve publike për këtë vit.
Kjo pasi anëtarët e tij thanë se nuk kanë pranuar kërkesa nga institucionet rreth nevojave buxhetore.
Deputeti i Vetëvendosjes, Alban Bajrami tha se këto çështje do të mund të trajtohen në rishqyrtimin buxhetor që tha se do të ndodhë muajt e ardhshëm, jo shumë larg.
Kryetarja e Komisionit, Ariana Musliu-Shohi tha se nuk ka asnjë kërkesë nga institucionet e pavarura.
“U bëj thirrje të gjitha institucioneve të pavarura, RTK-së, KPM-së, Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, sepse e dimë që secila nga këto institucione ka nevojë të veçantë, për të qenë korrekt i lus udhëheqësit e këtyre institucioneve që të na i dërgojnë me shkrim sot deri në ora 16:00, këtë e them për të vetmen arsye që është duke u trajtuar me urgjencë”, tha Musliu-Shoshi.
Mirëpo, u.d drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Hysen Hundozi potencoi se transmetuesi e ka dorëzuar projeksionin buxhetor qysh në tetor të vitit të kaluar, si dhe e kanë ridërguar të njëjtin edhe në legjislaturën e re.
“Bazuar në Ligjin për RTK-në Nr. 04/L-046, nenin 21, paragrafin 6.1, Projeksionin Buxhetor për vitin 2026 e kemi dorëzuar brenda afatit ligjor, në tetor të vitit të kaluar. Projeksioni buxhetor i RTK-së është në vlerën prej 0.7% të Buxhetit të Kosovës, apo rreth 23 milionë euro. Po ashtu, të njëjtin dokument e kemi ridërguar edhe në legjislaturën e re të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Burimi kryesor i të hyrave të parapara me Projeksionin Buxhetor për vitin 2026 janë të hyrat nga Buxheti i Kosovës, në bazë të Ligjit për RTK-në Nr. 04/L-046, neni 21, paragrafi 4, të cilat kapin shumën prej 22,472,027 €, ose 94.82% të të hyrave të përgjithshme", deklaroi Hundozi.
Përkundër gamës së gjerë të programacionit, buxheti i Radiotelevizionit të Kosovës me vite të tëra ka qenë i kufizuar.
Transmetuesi publik tash e një kohë të gjatë po kërkon një zgjidhje për financim të qëndrueshëm e respektim të Ligjit për RTK-në.























