“Qeni që nuk dinte të lehë”, shfaqje me kukulla për fëmijë këtë të shtunë
BKT
Kulturë

“Qeni që nuk dinte të lehë”, shfaqje me kukulla për fëmijë këtë të shtunë

Shqipe Gashi|RTKlive

Të shtunën, në oraret 12:00 dhe 13:00, në Teatrin `Dodona` në kryeqytet do të jepet shfaqja me kukulla për fëmijë “Qeni që nuk dinte të lehë”, e cila sjell në skenë një histori të ngrohtë dhe edukative për më të vegjlit.

Vepra, e bazuar në tregimin e autorit italian për fëmijë Gianni Rodari, rrëfen historinë e një qenushi të vogël që nuk di të lehë. Në përpjekje për të gjetur zërin e tij, ai takohet me gjelin, kukuvajkën, lopën dhe dhelprën, të cilët mundohet t’ia mësojnë gjuhën e tyre, por krijojnë vetëm huti. Më pas, ai përballet me një qen zagar rruge, i cili e tall dhe e ngacmon për paaftësinë e tij për të lehur. Në fund shfaqet Zana e Qenve, e cila i zbulon të vërtetën: ai është qen dhe ka gjuhën e vet – gjuhën e qenve. Historia përmbyllet me një fund të lumtur, duke përcjellë mesazhe për vetëbesimin, identitetin dhe pranimin e vetes.

Regjinë e shfaqjes e mban Melihate Qena, muzika është realizuar nga Rauf Dhomi, ndërsa kukullat janë punuar nga Boris Qershkov. Skenografia, sipas idesë së Boris Qershkovit, është realizuar nga Valdet Rama, ndërsa piktura nga Vlora Hajdini.

Mjeshtër i dritave është Skender Latifi, ndërsa për realizimin teknik janë angazhuar Bedri Maloku, Fadil Bekteshi dhe Albert Gashi.

Në skenë interpretojnë aktorët Roza Berisha-Fejzullahu, Avni Hoti, Vjosa Tasholli dhe Leonit Maloku.


MË SHUME NGA Kulturë