Murati: Ky është një buxhet i përkohshëm emergjent
BKT
Lajme

Murati: Ky është një buxhet i përkohshëm emergjent

Valmira Saraçi|RTKlive

Ministri i Financave, Hekuran Murati e ka përsëritur se buxheti i cili po shqyrtohet në lexim të dytë në Kuvend, është një buxhet i përkohshëm emergjent.

“Për këtë arsye ne si Qeveri nuk i kemi dhënë hapësirën madje as ministrave që kanë marrë dikasteret e tyre përsipër, që të bëjnë ndryshime, duke konsideruar se nuk kemi shumë kohë të bëjmë ndryshimet e nevojshme dhe në mënyre cilësore, dhe që ato pastaj të mos reflektojnë me probleme gjatë rrugës. Ideja ka qenë që të procedohet sa më parë që është e munduar, madje është bërë në mbledhjen e parë të Qeverisë në mandatin e ri qeverisës që shteti të ketë një buxhet”, tha ai.

Murati tha se me zgjatjet që bëhen, ajo është zgjidhje emergjente sa i përket shpenzimeve rrjedhëse, por sa i përket projekteve dhe inicimit të projekteve tjera, asnjë projekt nuk mund të iniciohet prokurimi, kur nuk ka buxhet në fuqi.

“Po e miratojmë këtë buxhet të përkohshëm, të ketë një bazë mbi të cilin edhe komunat edhe organizata tjera buxhetore të nivelit qendror të mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre pa problem. Ndërkaq, prioritetet e Qeverisë e madje edhe të komunave, të kenë mundësi t’i shtojnë përgjatë rishikimit. Kjo ka qenë situata, duke u nisur nga kjo kërkesa jonë ka qenë të mos ketë amendamente, aq më pak amendamente që kanë implikime financiare”, tha ai.

Ai u bëri thirrje deputetëve që të mbështesin vetëm amendamentet që kanë gjetur mbështetjen edhe të ministrisë e t’i thonë jo atyre që kanë implikime financiare.


MË SHUME NGA Lajme