Shteti i Michigan-it nderon Berat Gegajn për shërbim ndërkombëtar
BKT
Lajme

Shteti i Michigan-it nderon Berat Gegajn për shërbim ndërkombëtar

M.Shefkiu/RTKLive

Shteti i Michigan-it ka nderuar me vlerësimin më të lartë zyrtar shqiptaro-amerikanin nga Suhareka, Berat Gegaj, për guximin, angazhimin në paqe dhe shërbimin e tij ndërkombëtar.

Nderimi u bë nga legjislatura e Michigan-it, si mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të Gegajt në ndërtimin e urave të dialogut dhe ndihmës humanitare në Shtetet e Bashkuara dhe në shumë vende të botës.

Përfaqësuesi i shtetit, Jason Woolford, vlerësoi rolin e Gegajt si ndërmjetës paqeje gjatë procesit të dialogut Kosovë–Serbi në vitin 2020, duke theksuar se ai ofroi komunikim, pajtim dhe shpresë për liderët që synonin t’i jepnin fund dekadave të konfliktit.

Kontributi i tij u veçua edhe gjatë evakuimit nga Afganistani në vitin 2021, kur Gegaj ndihmoi në shpëtimin dhe zhvendosjen e rreth 100 shtetasve amerikanë dhe personave të cenueshëm, duke punuar pa pushim në mbrojtje të jetëve dhe vlerave amerikane.

“Ngritëm sot për të vlerësuar Beratin për trimërinë dhe guximin e tij si paqebërës me bazë në besim, në Michigan, në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën. Shërbesa e tij ndërton ura mes njerëzve nga të gjitha prejardhjet dhe forcon strukturën e shtetit tonë përmes shërbimit, përulësisë dhe dashurisë për të afërmin”, tha Woolford në fjalën e tij para Dhomës së Përfaqësuesve.

Nga ana e tij, Berat Gegaj u shpreh se ky nderim është reflektim i punës së përbashkët dhe i përkushtimit ndaj shërbimit njerëzor. Ai theksoi se përmes bashkëpunimit është ndihmuar në shpëtimin e jetëve, ribashkimin e familjeve dhe kthimin e shpresës për ata që kishin më së shumti nevojë.

Ky vlerësim zyrtar thekson punën e jashtëzakonshme të Berat Gegajt në paqe, shërbim dhe udhëheqje globale, si dhe ndikimin e tij të qëndrueshëm në jetën e mijëra njerëzve. Me këtë rast, ai u nderua me titullin “Tribut i Veçantë” dhe mori gjithashtu flamurin amerikan që kishte qenë i vendosur në shtizë në Capitol House, më 1 janar 2026.

Në fund, për këtë nderim ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharramaj, i cili e cilësoi vlerësimin për Berat Gegajn si krenari për Suharekën dhe mbarë Kosovën, duke theksuar se ky sukses dëshmon rolin pozitiv të mërgatës shqiptare në arenën ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Lajme