Gjendet trupi i pajetë i bjeshkatarit në Hajlë
BKT
Lajme

Gjendet trupi i pajetë i bjeshkatarit në Hajlë

Valbona Thaçi / RTKLive

(Përditësuar, 14:20) Bjeshkatari Qazim Fetahoviq, që dyshohej se kishte rrëshqitur mbrëmjen e së shtunës në kreshtën e njohur si “Maja e Hajlës” në Rugovë, është gjetur i pajetë.

Sipas televizionit publik të Malit të Zi, trupi i bjeshkatarit është lokalizuar në zonën Grope–Hajla nga alpinisti me përvojë Semir Kardovic, i cili ishte pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit.

Shefi i policisë në Rozhajë, Vladimir Deleviq, ka deklaruar për RTCG se alpinistët me përvojë nga Rozhaja, në bashkëpunim me kolegët e tyre nga Kosova, arritën të lokalizojnë trupin e bjeshkatarit.

“Për rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili do të dalë në vendin e ngjarjes për të kryer procedurat e nevojshme hetimore”, ka bërë të ditur Deleviq, raporton RTCG.

Më herët, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës kishte njoftuar se operacioni i kërkim-shpëtimit kishte nisur në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, menjëherë pas marrjes së informacionit për zhdukjen e bjeshkatarit, i cili ishte ndarë nga grupi me të cilin po ecte.

Aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me Shërbimin e Shpëtimit Malor të Malit të Zi dhe autoritetet përkatëse të të dyja vendeve, ndërsa kushtet e pafavorshme atmosferike, reshjet e borës dhe dukshmëria e kufizuar e kishin vështirësuar operacionin.

Nis kërkimi për bjeshkatarin që dyshohet se rrëshqiti në kreshtën e Hajlës

(Publikuar 12:10) Një bjeshkatar dyshohet se ka rrëshqitur mbrëmjen e së shtunës në kreshtën e njohur si “Maja e Hajlës” në Rugovë, duke u ndarë nga grupi me të cilin po ecte.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka njoftuar se operacioni i kërkim-shpëtimit ka nisur në orët e vona të mbrëmjes, menjëherë pasi është marrë informacioni për rastin.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni po zhvillohet në bashkëpunim me Shërbimi i Shpëtimit Malor të Malit të Zi dhe me autoritetet përkatëse të të dyja vendeve.

“Kushtet e pafavorshme atmosferike, reshjet e borës dhe dukshmëria e kufizuar po e vështirësojnë operacionin”, thuhet në reagimin e SHKSHMK-së.

Ekipet e angazhuara nga Kosova dhe Mali i Zi po veprojnë në mënyrë të koordinuar me qëllim lokalizimin sa më të shpejtë të bjeshkatarit dhe ofrimin e ndihmës së nevojshme.


MË SHUME NGA Lajme