Bujari: Ministria e Arsimit të iniciojë rishikimin e listës së lektyrave
BKT
Kulturë

Bujari: Ministria e Arsimit të iniciojë rishikimin e listës së lektyrave

Kimete Kasumi/ RTKlive

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, për rolin e lektyrave shkollore dhe ndikimin e tyre në kulturën e leximit tek të rinjtë, Zjarr Bujari, menaxher i projekteve në organizatën ETEA, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se libri duhet të rikthehet si kënaqësi dhe mjet zhvillimi, jo vetëm si detyrim shkollor.

Ai prezantoi gjetjet e disa hulumtimeve mbi nivelin e leximit dhe përmbajtjen e lektyrave në shkollat e Kosovës.

Sipas tij, në disa shkolla ekzistojnë lista lektyrash që nuk janë të aprovuara nga institucionet përkatëse dhe që janë ricikluar prej dekadash.

“Librat që i lexojnë sot nxënësit në shkollat e Kosovës janë të njëjtët që janë lexuar para 20 apo 30 vitesh, pa një rishikim të mirëfilltë të përmbajtjes”, tregoi Bujari.

Ndër të tjera ai tha se në fokus-grupet e realizuara nga ETEA me nxënës, shumica e tyre i përshkruajnë lektyrat si detyrim shkollor. Sipas tij, një pjesë e nxënësve i kryejnë detyrat formalisht, ndërsa për kënaqësi zgjedhin libra të tjerë jashtë listës së caktuar.

Ai tha se përzgjedhja e librave duhet të jetë më e kujdesshme, pasi lektyrat ndikojnë edhe në formimin e identitetit dhe vlerave të nxënësve.

Bujari përmendi edhe testin ndërkombëtar PISA, ku nxënësit nga Kosova kanë shfaqur vështirësi në lexim-kuptim.

“Kjo është një problem themelor dhe arsimi duhet të trajtohet si çështje thelbësore, e cila ndikon në çdo fushë tjetër të jetës dhe shoqërisë sonë”, tha ai.

"Një prej rekomandimeve që kemi nxjerrë prej këtij raporti hulumtues ështe se Ministria e Arsimit duhet të iniciojë rishikimin e listës së lektyrave", pohoi Bujari.

Në kuadër të kësaj dite, ai bëri me dije se sot, në Qendrën “Libart”, nga ora 14:00, do të organizohet aktiviteti me temë “Flasim për lektyrat shkollore”.


MË SHUME NGA Kulturë