Haxhiu pranon përgëzimet e Hargreaves për legjislaturën e re
BKT
Lajme

Haxhiu pranon përgëzimet e Hargreaves për legjislaturën e re

Medina Pasoma / RTKlive

(Përditësuar, 13:10) Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se në takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, kanë diskutuar për zhvillimet aktuale në vend.

Sipas komunikatës së Kuvendit të Kosovës, Haxhiu ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj vendit tonë. Ajo theksoi gjithashtu progresin e arritur në konstituimin e institucioneve dhe në kalimin e fazave kyçe.

“Ambasadori Hargreaves e përgëzoi kryetaren për zgjedhjen në detyrë dhe për efikasitetin e treguar në funksionalizimin e Kuvendit, përfshirë procedimin dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, vazhdon njoftimi.

Ambasadori dhe kryetarja e Kuvendit shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit, përfshirë intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare.

E për këtë takim më herët ka shkruar edhe ambasadori Jonathan Hargreaves.

“Përshëndeta përparimin e shpejtë që ka bërë Kuvendi në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit për vitin 2026. Diskutuam për zgjedhjet e ardhshme presidenciale”, ka shkruar ai.

Hargreaves më tej ka thënë se kanë shprehur pritjen për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet parlamenteve të dy shteteve.


MË SHUME NGA Lajme