Filharmonia e Kosovës sonte prezantohet për herë të parë në Varshavë
BKT
Kulturë

Filharmonia e Kosovës sonte prezantohet për herë të parë në Varshavë

Kimete Kasumi/ RTKlive

Filharmonia e Kosovës ka mbajtur provën gjenerale para koncertit në Varshavë, ku Orkestra Harkore u paraqit nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani.

Ky koncert organizohet në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Poloni dhe Universitetin e Muzikës “Fryderyk Chopin” - Varshavë dhe mbahet sonte, prej orës 19:00, në Sallën e Madhe të Koncerteve të Universitetit të Muzikës “Fryderyk Chopin” në kryeqytetin polak.

"Mbrëmja do të hapet me veprën “Forsaken” të Mendi Mengjiqit, për të vijuar me “Sinfonietta” të Drinor Zymberit. Më pas, në skenë do të ngjitet sopranoja Adelina Paloja me interpretimin e këngëve “Asaman”, “Kroi i fshatit tonë” dhe “Unë biri yt, Kosovë”. Pjesa e fundit është rezervuar për ‘Koncert për piano dhe harqe’ nga Henryk Gorecki, në interpretim të pianistit Andi Duraku. Koncerti do të përmbyllet me “Ndikimi” dhe “Loja” nga vepra “Shpirti i traditës” i Valton Beqirit", thuhet në njoftim.

Ky koncert shënon prezantimin e parë të Filharmonisë së Kosovës në kryeqytetin polak dhe realizohet në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.


MË SHUME NGA Kulturë