Kërkohen masa ndaj Zv. Drejtorit të shkollës|VIDEO
Alban Selimi|RTK
Punëtorja e shkollës "Ibrahim Rugova" në Obiliq, Mevlude Rusinovci, ka denoncuar zv.drejtorin e shkollës, Ali Nimani, për kërcënim dhe dhunë të vazhdueshme psikologjike të ushtruar ndaj saj. Rasti tashmë është paraqitur edhe në Policinë e Obiliqit edhe në Inspektoratin e Arsimit.
“Kam dalë në pauzë me hëngër bukë edhe ja ka nisë para nxënësve para arsimtarëve me bërtite, edhe hyni me marrë nxemësen. Unë i thashë merre nuk është probelm, tha kom me t’lanë mu mërdhi edhe kam pas presion dy vitet e fundit përditë”, tha ajo.
Pretendimet e ngritura, sipas zëvendësdrejtorit të shkollës, vijnë pas vërejtjes për mos punë të përcjella në adresë të punëtores, Rusinovci.
“Me datën 01.04.2021 vërejtje me shkrim ju ka shqiptu edhe ju ka bë një ndalesë. Njëkohësisht, masë edukative disiplinore iu ka shqiptuar me 20. 03.2023 për mos kryerjen e përgjegjësive”, tha Nimani.
Pa varësisht se nuk ka pranuar të flas, drejtoresha e shkollës Fatmire Mjekiqi e ka konfirmuar se për këtë çështje tashmë ka një denoncim në organet përgjegjëse.
Nga shkresat e shkëmbyera mes udhëheqësit të Inspektoratit të Arsimit në rajonin e Prishtinës Nebi Behluli dhe Komunës e Obiliqit, që i ka siguruar RTK, evidentohet se Inspektorati i Ministrisë Arsimit më 4 shkurt 2026 ka kërkuar nga Drejtoria Komunale në Obiliq që të ndërmerren masa ndaj zëvendësdrejtorit, duke e obliguar që për këtë të informohet edhe Ministria përgjegjëse.
As inspektori Behluli, e as në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Obiliq nuk kanë pranuar të flasin në lidhje me këtë çështje.
Ndërkohë, zëvendësdrejtori Nimani edhe më herët për shkak të shkeljeve të detyrave në punë ka pasur si dënim me gjobë ndalim pagese 20% nga rroga për gjashtë muaj radhazi.























