Në Prishtinë, shënohet 3 marsi, Dita Ndërkombëtare e Shkrimtarit
Arjeta Seferaj| RTK
3 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Shkrimtarit, fjala e lirë si mision i përhershëm Biblioteka e Qytetit “Hivzi Sulejmani” shënon këtë datë me një takim letrar me shkrimtarin Sabit Rrustemi, duke rikujtuar sakrificën dhe fuqinë e fjalës së lirë.
Dita Ndërkombëtare e Shkrimtarit shënohet çdo vit më 3 mars, si një moment reflektimi mbi rolin e autorëve në kulturë dhe shoqëri.
Kjo ditë u shpall në vitin 1986 nga organizata ndërkombëtare e shkrimtarëve PEN International, e themeluar në vitin 1921 në Londër, me misionin për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe të drejtat e shkrimtarëve në mbarë botën.
Qëllimi i kësaj dite është të nderojë kontributin e shkrimtarëve në jetën kulturore, të promovojë mendimin e lirë dhe të theksojë rëndësinë e letërsisë në ndërtimin e dialogut dhe paqes mes shoqërive.
Në shënim të kësaj date, Biblioteka e Qytetit "Hivzi Sulejmani" organizoi një takim letrar me shkrimtarin Sabit Rrustemi.
Aktiviteti u shndërrua në një hapësirë reflektimi mbi rolin e shkrimtarit në kohë sfiduese dhe mbi çmimin që shpesh paguhet për fjalën e lirë.
Gjatë bashkëbisedimit, Rrustemi ndau përvojën e tij personale, duke rikujtuar periudhën kur për shkak të një tregimi letrar dhe guximit për të shprehur mendimin e tij, u përball me burgosje. Rasti i tij mbetet dëshmi e qartë se fjala e lirë ka peshë dhe përgjegjësi, por edhe forcë për të mbijetuar përtej çdo presioni.
Shkrimtari nuk është vetëm krijues i botëve imagjinare; ai është dëshmitar i kohës së vet dhe zë i ndërgjegjes kolektive. Në epokën e komunikimit digjital dhe informacionit të shpejtë, libri vazhdon të mbetet hapësirë reflektimi, thellësie dhe dialogu të brendshëm.
Dita Ndërkombëtare e Shkrimtarit rikujton se letërsia është më shumë se art – ajo është mision. Një mision për të ruajtur kujtesën, për të sfiduar padrejtësinë dhe për të ndërtuar një shoqëri më të vetëdijshme dhe më humane.























