Hamza: Çdo gur i kullës së Jasharëve dëshmon sakrificën për atdheun
Blerim Halimi | RTKlive
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë sot homazhe në Prekaz në nderim të komandantit legjendar Adem Jashari, Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit dhe të gjithë të rënëve të familjes heroike Jashari.
Hamza tha se Prekazi mbetet vend i shenjtë i sakrificës dhe simbol i qëndresës për lirinë e Kosovës.
“Sot, në Prekaz, në vendin e shenjtë të sakrificës, nderuam komandantin legjendar Adem Jashari, Hamzën, bacën Shaban dhe të gjithë të rënët e familjes heroike Jashari”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Ai bëri të ditur se pas homazheve ka qëndruar edhe në shtëpinë e familjes Jashari, të cilën e cilësoi si “kala të lirisë”.
“Pas homazheve, vizitova edhe bacën Rifat, në shtëpinë që u bë kala e lirisë, ku çdo gur, çdo rrëfim dhe çdo kujtim dëshmon për sakrificën e jashtëzakonshme për atdheun. Në fjalët e tij të qeta dhe në qëndrimin burrëror ndjehet ende pesha e historisë dhe madhështia e një familjeje që e ktheu qëndresën në betim për liri”, ka shkruar tutje Hamza.
Ai ka thënë se sakrifica e familjes Jashari mbetet një amanet i përhershëm, e i cili na thërret ta ruajmë dhe forcojmë Kosovën për çdo brez.























