MASh-i me tryezë për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje
Valmira Saraçi|RTKlive
Zyrtarët për barazi gjinore nga ministritë dhe komunat e Kosovës, janë bërë bashkë në një tryezë me ftesë të Ministrisë së Arsimit me qëllim zbatimin e Udhëzuesit për mësimdhënës dhe profesionistët e arsimit për rolin e shkollës në parandalimin dhe identifikimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Këshilltarja e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, Arta Berisha ka theksuar rëndësinë e institucioneve arsimore, si mjet për parandalim dhe identifikim të hershëm të rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.
Ministria thotë se ajo nënvizoi nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional në nivel qendror dhe komunal, duke shtuar se Udhëzuesi ndihmon të identifikohen dhe parandalohen rastet e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.
Në këtë tryezë, thuhet të jenë rikujtuar edhe obligimet që rrjedhin nga Konventa e Stambollit dhe nevoja për angazhim të vazhdueshëm institucional.
MASH thotë se ky Udhëzues mbështetë mësimdhënësit dhe profesionistët e arsimit në identifikimin e hershëm dhe adresimin e rasteve të dhunës, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës për nxënësit dhe komunitetin shkollor.























